Kryesoret Protesta shembullore e studentëve, pastrojnë mbeturinat pas tubimit (FOTO)

Protesta shembullore e studentëve, pastrojnë mbeturinat pas tubimit (FOTO)

550
SHPËRNDAJE

E enjtja e 6 dhjetorit 2018 do të mbahet mend gjatë, pasi për të parën herë që nga protestat historike të 1990, studentët zhvilluan tubimin më masiv dhe pa ndikim politik, për të kërkuar të drejtat e tyre përballë Ministrisë së Arsimit.

E teksa përballja e tyre me qeverinë, gjunjëzoi pushtetin dhe iu dha të drejtë pasi VKM-ja që i detyronte të paguanin 670 lekë për çdo provim të mbartur u anulua, mijëra të rinj shqiptar treguan se dinë të protestojnë fiks si moshatarët e tyre europianë.

Protesta që ishte tërësisht paqësore, përveç stilolapsave, vezëve e letrave higjienike të hedhura në drejtim të godinës së MAS, u shoqërua në fund me një “aksion pastrimi” nga vetë studentët, që është për t’u duartrokitur.

Dhjetëra të rinj pas mbylljes së tubimit që zgjati rreth 6 orë, janë fotografuar me qese të zeza dhe doreza në duar, duke pastruar pankartat, letrat e shumta në rrugë dhe mbetjet e tjera.

Ndërkohë gjatë protestës që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 15:45 ka pasur edhe mjaft imazhe të tjera interesante dhe një prej tyre është vendosja në kangjellat e godinës së MAS të bluzave të bardha nga dhe studentët e Universitetit të Mjekësisë dhe Infermierisë, të cilët dhanë mesazhin që degradimi i universiteti publik dhe tregut të punësimit po i detyron të largohen drejt Gjermanisë.

Për të parë momentet e veçanta nga kjo protestë, ju ftojmë të shfletoni fotogalerinë:

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)