Aktualitet Kuvendi zgjedh 8 anëtarët e KED pas refuzimit të Metës

Kuvendi zgjedh 8 anëtarët e KED pas refuzimit të Metës

226
SHPËRNDAJE

Kuvendi ka hedhur shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Shorti u hodh nga Kuvendi pas refuzimit të Presidentit Ilir Meta për të mos e hedhur për shkak të vakumit ligjor. Shorti ka nxjerrë 8 fitues duke lënë një vend vakant nga Prokuroria e Apelit, pasi kishte kandidatë vetëm për një vend.

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi e quajti procedurën në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tij, mungon baza ligjore.

“Presidenti thotë se ka vakum ligjor dhe dispozitat transitore kanë mbyllur efektin e tyre. Kandidatët filtrohen nga 3 organe Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese, KLGJ e KLP, të cilat nuk janë ngritur ende”, është shprehur Bylykbashi, duke shtuar më tej se po “duket qartë që qëllimi është kapja e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca”.

Ai bëri thirrje për mazhorancën që të tërhiqet nga ky short dhe të plotësojë vakumin ligjor për funksionimin e KLGJ e KLP.

Në përgjigje të tij kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi theksoi se “Letrën e presidentit për shortin e kam konsultuar me ekspertet ligjore të kuvendit, EURALIUS, OPDAT. Sot është rendi që hidhet shorti. Për shortin e KED Gjykata Kushtetuese ka sjellë dy kandidatura”.
Sipas tij, “për këtë nuk mund të hidhet shorti pasi janë vetëm dy kandidatë për dy poste dhe dy kandidaturat vlerësohen automatikisht të zgjedhur”.

Fituesit për KED:

Gjykata Kushtetuese
Vitore Tusha
Bashkim Dedja
anëtar zëvendësues nuk ka

Gjykata e Lartë
Ardian Dvorani
anëtar zëvendësues Medi Bici

Prokuroria e Përgjithshme
Arta Marku
anëtar zëvendësues nuk ka

Prokuroritë e Apelit
Fatjona Memecaj
anëtar zëvendësues nuk ka

Gjykata e Apelit:
Fatri Islamaj

Margarita Mahuli
anëtar zëvendësues Gurali Braimllari
Gjyqtar të Gjykatave Administrative

Eriol Roshi
anëtar zëvendësues Klodiana Veizi Mema.

7 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)