Shqiptari Fidan Bejta është shpallur mbrëmjen e djeshme “Heroi i vitit 2018” në Suedi. Në një ceremoni gala, Bejta u urua edhe nga ylli Zlatan Ibrahimovic.
Gjithë Suedia flet për shqiptarin nga Kosova, pasi ai pushtoi faqet e mediave të shtetit nordik, pas ngjarjes së 13 majit 2018, ku ai shpëtoi 20 fëmijë nga një grua e cila tentoi t’i godiste me thikë në një kënd lojërash.
Fidan Bejta, i cili jeton në Malmo të Suedisë ka rrëfyer ngjarjen, duke thënë se kishte dalë shëtitje me djalin e tij kur një grua tentoi të sulmonte fëmijët pranë lagjes së tij.
“Isha jashtë me djalin duke shëtitur. E lashë djalin jashtë dhe hyra të vishesha. Dëgjova nga jashtë zëra se një grua po ndiqte me thikë disa fëmijë. Iu afrova gruas në oborr. E pyeta çfarë je duke bërë dhe u përpoq të më qëllonte me mua. E lashë 2 minuta duke u konfliktuar me mua, në mënyrë që të përqëndrohej tek unë dhe jo tek fëmijët. Një fqinji im, arab, u afrua në mënyrë që gruaja të ikte dhe të kthehej me kurriz. Kur ajo u kthye unë e qëllova në kurriz. Ajo ishte me problem të shëndetit mendor. Nuk i kishte konsumuar rregullisht ilaçet e saj. Fëmijët ishin të trembur, por që prej atij momenti sot më thërrasin “heroi” “heroi’”, ka treguar ai.
Bejta ka folur edhe për mesazhin e marrë nga idhulli i tij, ylli suedez i Futbollit, Zlatan Ibrahimoviç.
“Ishte shumë emocionuese, Zlatan Ibrahimoviç më uroi për veprën time. Ai më ftoi që të shihja në stadium një ndeshje të tij të futbollit”, u shpreh ai.
19 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)