Kryesoret Edi Rama “mbreti” i gjyqeve për shpifje, ja humbjet dhe fitoret e...

Edi Rama “mbreti” i gjyqeve për shpifje, ja humbjet dhe fitoret e tij

368
SHPËRNDAJE

Dekriminalizimi i shpifjes ende nuk është në planet e qeverisë. Dokumentet që Top Story disponon tregojnë se përballjet në gjykatë janë një sfidë për kryeministrin.

Rama, është ndër politikanët që ka hapur më shumë procese në gjykatat shqiptare, si kur ishte në opozitë ashtu edhe kur mori drejtimin e shtetit.

E sigurisht që peshorja e drejtësisë ka anuar në çdo kohë në anën e pushtetit.

Në prill të vitit 2010, e ëma e Edi Ramës, Aneta iu drejtua Gjykatës së Lartë duke kërkuar dënimin e Sali Berishës me akuzën e shpifjes, një vepër penale kjo që dënohej me tre vite heqje lirie.

Trupa gjyqësore arsyetonte se nuk rezulton se kërkuesja Aneta Rama të jetë personi i dëmtuar nga thëniet e cituara, por bashkëshorti i saj, Kristaq Rama. Pra, sipas gjykatës, ligji parashikon se hetimet nuk mund të fillojnë, kur personi është i vdekur.

Po në këtë gjykatë, Rama kishte humbur një tjetër betejë me ish-kryeministrin Sali Berisha në vitin 2009.

Me të ardhur në pushtet, në qershorin e vitit 2015, Rama akuzoi Arben Ristanin për shpifje. Kryeministri pretendonte se i ishte cënuar dinjiteti nga fjalët e hapura botërisht nga deputeti i Partisë Demokratike.

Pothuajse e njëjta trup gjyqësore që kishte rrëzuar kërkesat e kryeminisrit në kohën që ai drejtonte opozitën, e gjeti fajtor deputetin Ristanin për akuzën e shpifjes.

Gjykata vendosi vendosi një dënimin prej 2 milion lekësh të vjetra gjobë, për Ristanin.

Deputeti demokrat u shpreh se nuk ka kohë për të folur me Top Storyn mbi këtë vendim, por ai shtoi se kurrë nuk i është drejtuar gjykatës për të ngritur padi për shpifje.

Po në të njëjtën periudhë, pra qershor 2015, Rama ngriti akuza penale ndaj deputetit të opozitës. Edi Paloka është një tjetër deputet që është dënuar nga gjykata si shpifës.

Gjykata e Lartë, në vendimin e saj i jepte të drejtë kryeministrit, dhe në qershorin e vitit 2015 e dënoi deputetin demokrat me 2 milion lekë të vjetra gjobë. Në argumentin e saj, gjykata tha se Paloka kishte shpifur dhe se nuk kishte prova për të vërtetuar saktësinë e deklaratës së tij.

26 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)