Kryesoret Bora mbyll 280 shkolla në veri dhe juglindje të vendit

Bora mbyll 280 shkolla në veri dhe juglindje të vendit

197
SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë bën me dije se për shkak të kushteve atmosferike të rënduara që vijojnë të jenë prezentë në vendin tonë, për datën 10 janar 2019 disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në disa shkolla.

Nga informacionet e raportuara nga Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore për datën 10 janar, raportohet se bëhet fjalë për 280 shkolla, ku është pezulluar mësimi.

Në 16 Drejtori dhe Zyra Arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë, Përmet, Kukës, Tropojë, Has, Dibër, Mat, Bulqizë, Korçë, Pogradec, Devoll, Mirditë dhe Malësi e Madhe, është pezulluar procesi mësimor për të gjithë nxënësit.

Në 6 Drejtori dhe Zyra Arsimore, mësimi është ndërprerë në disa shkolla si: Shkodër në 28 shkolla, Gramsh në 4 shkolla, Vlorë në 2 shkolla, Lezhë në 3 shkolla, Kolonjë në 4 shkolla dhe Delvinë në 1 shkollë.

Në Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore: Elbasan, Peqin, Tiranë Qytet, Tiranë Qark, Kavajë, Durrës, Fier, Lushnjë, Krujë, Kuçovë, Berat, Skrapar, Laç, Sarandë, Mallakastër etj, mësimi zhvillohet normalisht ose me orë të reduktuara.

Moti zbutet pas një jave

Meteorologët, ndërkohë, bëjnë këtë parashikim. “Pritet që deri në fundjavë ne të marrim një sasi të konsiderueshme reshjesh dëbore, duke arritur deri në një metër në zonat e thella malore, ndërsa bregdeti do të ketë reshje shiu. Në fundjavë do të ketë ndërprerje të reshjeve, por rënie temperaturash në -8 apo -9 gradë”, tha Adiola Bani.

Meteorologia thotë se reshjet janë gjeneruar si pasojë e një sistemi të dendur vranësirash që kanë përfshirë vendin tonë.

“Në gjysmën e dytë të janarit temperaturat do të vijnë drejt rritjes”, tha meteorologia Bani.

10 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)