Kryesoret Robert Ndrenika 76 vjeç. Kur interpretonte Qazim Mulletin…

Robert Ndrenika 76 vjeç. Kur interpretonte Qazim Mulletin…

950
SHPËRNDAJE

Sot Robert Ndrenika një prej ikonave të kinematografisë dhe teatrit shqiptar mbush 76 vjeç. Ai ka lindur më 10 janar të vitit 1942. Roli i tij i parë në kinematografi ka qenë ai i Gjergjit në filmin “Oshëtim në bregdet” një film i prodhuar më vitin 1966 nën regjinë e Hysen Hakanit. Nën skenarin e Sulejman Pitarkës dhe Hysen Hakanit dhe muzikë të Çesk Zadesë ky film na conte në Luftën e Dytë Botërore. Në një familje të varfër bregdetare, patrioti Jonuz Bruga ka konflikte me djalin e tij Selimin, i cili bën një jetë të shthurur. Ndërkohë vëllezërit e tij Dini, Petriti dhe Vehipi luftojnë duke drejtuar grupet guerile të qytetit.

Duke u zvarritur pas dëshirave të tij, Selimi ndjek qëndrimin e Brunos një spiuni të fashizmit, ku e përdor si spiun dhe tradhëtar të grupeve ilegale. Përkrah Ndrenikës atëherë vetëm 24 vjec interpretonin në këtë film emra të njohur si Kujtim Spahivogli, Vangjush Furrxhi, Leka Bungo, Lazer Filipi, Marie Logoreci, Dhimitër Pecani, Pavlina Mani, etj. Dy vjet më pas ai do të interpretonte rolin e Azemit tek filmi “Horizonte të hapura” më 1968, nën regjinë e Viktor Gjikës.

Në vitin 1970 Robert Ndrenika do të spikasë në rolin e Xhemalit tek “I teti në Bronx” sërish në regjinë e Viktor Gjikës. Historia e filmit është kjo:Në përvjetorin e vdekjes së komisarit Ibrahim Kovaçi gjashtë nga shokët e tij të luftës, mësues Thomai, Arifi, Alma, Andoni, Rustemi dhe Xhemali, shoqërojnë bustin e komisarit për në fshatin e tij të lindjes, ku do t’i dedikohet një ceremoni përkujtimore.

Gjatë rrugës secili nga ata sjell në mendje ngjarje të lidhura me jetën dhe luftën e Ibrahimit, dhe konfrontimet me antogonistin Sali Protopapa. Ndër role të spikatura në kinematografi është dhe ai i Qazim Mulletit tek komedia “Prefekti” . Një punë e Besim Levonjës, komedia “Prefekti” përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Kjo komedi bazohet në stereotipa dhe krijon vetëm të tilla.

Tiranasit e vjetër apo autoktonë paraqiten si injorantë, të korruptuar, fetarë (kjo në atë kohë kishte kuptim negativ duke qenë se shënjestronte reaksionarët dhe njerëz që gjithsesi ishin kundër rrymës së asaj kohe); fshatarët që banonin afër Tiranës si të trashë, fanatikë etj. Edhe një personazh nga Luma (veriu) që arrestohet gabimisht, paraqitet në mënyrën më të keqe, si analfabet që shiste salep me ibrikë në duar dhe ishte gati të denonconte këdo para autoriteteve.

E folura në dialekt ose me fjalë të huazuara e personazheve është bërë me qëllim shumë e fortë, për të stigmatizuar grupet shoqërore nga vinin personazhet e komedisë. Këto stereotipa gjenden edhe në filmat e tjerë të prodhuar gjatë kësaj kohe.
Në karrierën e tij numërohen qindra personazhe kinematografikë, pa harruar ata në teatër, ku Ndrenika ka një kontribut të çmuar. Ndrenika vazhdon të jetë aktiv tashmë më shumë në teatër pavarësisht viteve. I urojmë jetë të gjatë mjeshtrit të skenës!

10 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)