Kulturë Maks Velo vlerësohet me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”

Maks Velo vlerësohet me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”

201
SHPËRNDAJE

SHASH (Shoqata e Arkitekteve të Shqipërisë) e nis vitin 2019, me dhënien e çmimit “Mjeshtër në Arkitekturë” , si pjesë e një serie çmimesh që do të jepen në kuadrin e FAMA – “Festivali i Arkitekturës Moderne Shqiptare / Festival of Albanian Modern Architecture”.

Ky çmim do ti kushtohet Arkitektëve Shqiptarë që kontribuuan në gjenezën e Arkitekturës Moderne në Shqipëri. Këtë vit çmimi shkon për artistin e njohur Maks Velo dhe do ti akordohet me një ceremoni të veçantë më 24 janar ora 18.00. Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.

Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektin e parë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Projekte të ndryshme të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim janë: – Parku i Madh i Liqenit, Tiranë – shkolla “EminDuraku”, Tiranë – objekti i banimit pranë Hotel Tiranës – godina e ish-ATSH, Tiranë – ish-hotel “Arbana”, Tiranë – kinemaja e Laprakës, Tiranë – kinema “Pionieri”, Tiranë – “UzinaMeknike”, Peshkopi, etj Vitet ’73 përkojnë edhe me fillimin e një periudhe shumë të vështirë të jetës e tij, pasi gjatë kësaj kohe ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg për tendenca moderne në arkitekturë dhe art, e për rrjedhojë i digjen 250 vepra.

Përndjekja dhe dënimi i tij vazhdoi për 18 vjet nga 1973 deri më 1991. Përveç profesionit të arkitektit, ai krijon dhe kompozon edhe në disa gjini të artit si: pikturë, skulpturë, prozë, poezi, publicistikë, sikundër është në mënyrë konstante mjaft i angazhuar publikisht në çështje të aktualitetit të urbanistikës, arkitekturës dhe angazhimeve të ndryshme intelektuale në të gjithë territorin shqiptar.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura “, “Betonizimi i Demokracisë”, “Jetë paralele” (105 dokumente të sigurimit të shtetit),” Vizatime mbi arkitekturën popullore shqiptare”, “Grafika e Realizmit Socialist në Shqipëri”, “Skulptura e Realizmit Socialist në Shqipëri dhe Skulptura në Europë”, “Nënë Tereza ” (Vizatime), “Paris 1” dhe “Paris 2” (Vizatime dhe poezi), “Tapeti i kuq” (Poezi), “Përkthyesi”, “Pastel”, “Spaç”, “Hetimi dhe Klubi Karavasta” “Jetë paralele”, etj.

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

11 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)