Kryesoret Studentët e Ekonomikut përplasen me rojet e sigurisë

Studentët e Ekonomikut përplasen me rojet e sigurisë

90
SHPËRNDAJE

Studentët e Ekonomikut dhe Juridikut e kanë kaluar mbrëmjen e së premtes në fakultet. Ata janë të vendosur në qëndrimin e tyre për realizimin e 8 pikave të paraqitura më herët qeverisë Rama.  Ndërsa mëngjesin e kësaj të shtune kanë pasur sërish incidente. Studentët e Ekonomikut janë përplasur me rojet e sigurisë në derën kryesore të Universitetit. Ata janë shprehur se u kërcënuan nga rojet dhe se dera është kyçur për të mos u lejuar futja e studentëve të tjerë brenda.

Një nga studentet që ka qëndruar gjatë natës në fakultet është shprehur se rojet i kanë kërcënuar dhe ofenduar. Ajo tha se dera kryesore e Ekonomikut është mbyllur me zinxhirë për të mos u lejuar futja e studentëve të tjerë brenda.

“Nuk është hera e parë që kemi konflikte të këtij lloji. Kanë qenë provokimet nga ana e rojeve të sigurisë. Dera është e mbyllur zinxhirë. Është hera e parë që ndodh sepse zakonisht e mbyllin vetëm me çelës. Dera është mbyllur për të mos u lejuar asnjë njeri të futet. Ata thonë se kemi marrë urdhra nga lart se dera do të qëndrojë e mbyllur dhe ne të vazhdojmë ngujimin. Kemi provokime. Unë personalisht jam fyer, nuk dua ta përmend fjalën fyese që është përdorur kundrejt meje. Nuk ka pasur përplasje fizike. Studentit është kërcënuar, iu është thënë: ju nuk na njihni ne, nuk e dini kush jemi ne, nuk e dini çfarë ju bëjmë ne.

Ngujimi do vazhdojë. Ne do vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Do bëjmë maksimumin tonë që dera të hapet pasi ka edhe studentë të tjerë nga Ekonomiku që duan të vijnë dhe të na mbështesin, askush nuk ka të drejtë të na ndalojë. Temperturat ishin të ftohta por brenda ka pasur drita. Në ndryshim nga ditët tjera që dritat na i prenë dhe qëndruam me qirinj. Kemi pasur ngrohje”, tregon studentja.

Studentët e Ekonomikut dhe Juridikut qëndrojnë të ngujuar brenda ambienteve të universiteteve prej dy ditësh. Edhe studentet e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës e Urbanistikës janë ngujuar në fakultet. Mbrëmjen e djeshme ata patën përplasje me policinë private, ku u thyen xhamat e dyerve të Fakultetit dhe celularë të studentëve. Ata thanë për gazetën “Shqip”, se policia private po i detyron ata që të futen në grëve urie.

12 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)