Aktualitet Një tjetër “shuplakë” për Tahirin, edhe 3 muaj të tjera…

Një tjetër “shuplakë” për Tahirin, edhe 3 muaj të tjera…

362
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit për ish-ministrin Saimir Tahiri. Shkak për zgjatjen e hetimeve, sipas gazetës “Panorama”, është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Katanias. Përgjigjja ende nuk ka ardhur dhe dosja nuk mund të dërgohet për gjykim nëse nuk ka përfunduar procesi i hetimit.

Afati përfundon ditën e nesërme, por prokurorët e çështjes në mbledhjen e zhvilluar, kanë vendosur të shtyjnë sërish afatin me tre muaj. Ish-ministri i Brendshëm  ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 nga prokuroria e Katanias me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj.

Sipas përgjimeve të kryera nga organi i akuzës italiane, flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për ti dhënë një personi me emrin Saimir dhe bizhuteri gruas së tij. Pavarësisht kësaj, nuk ka prova të mjaftueshme që e përfshijnë Tahirin në aktivitetin kriminal në rrjetin kriminal të Habilajve. Për pasojë, autoritetet italiane kërkuan mbylljen e çështjes ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Pak javë më parë Tahiri depozitoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda edhe vendimin e prokurorisë së Katanias.

Grupi Habilaj u vu në hetim nga prokuroria e Katanias ku aktualisht i gjithë grupi është dërguar në gjykim me akuzën e trafikut të tonelatave kanabis dhe disa armë kallashnikov në Itali.  Banda kriminale drejtohej nga Moisi Habilaj, ku Prokuroria e Katanias kërkon 18 vite burg dhe një shekull për të gjithë anëtarët e bandës së tij.