Aktualitet Policia i shpëton jetën fëmijës, si u përfshi komuniteti në gjestin heroik

Policia i shpëton jetën fëmijës, si u përfshi komuniteti në gjestin heroik

1494
SHPËRNDAJE

Silvana Muça

Fshati bllokohet nga bora, fëmija 2 vjeç rrezikon të humbasë jetën për shkak të  mungesës së shërbimit mjekësor. Familja nga Turaj i Kukësit është përpjekur që ta çojë vogëlushin e sëmurë  në spital, por ka qenë e pamundur sepse rrugët ishin totalisht të bllokuara nga dëbora dhe akulli. Kjo situatë ndodh për shkak të përgjumjes që ka rënë Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili në bilancin e sotëm thotë se rrugët janë të zhbllokuara dhe se në disa prej tyre akset kalohen me përdorimin e zinxhirëve.

Siç duket, situata është e rënduar në zonat malore dhe jeta e qytetarëve ndodhet në çdo moment në rrezik. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me familjen nga fshati Turaj, e cila si zgjidhje të vetme kanë gjetur policinë. Ata e kanë marrë në sallën operative të policisë, duke thënë se jeta e fëmijës së tyre është në rrezik dhe se trashësia e dëborës e kalonte 1 metër trashësi. Për pasojë ata nuk mund të shkonin në spital.

Që automjeti të mbërrinte pranë banesës së fëmijës, banorët e dy  fshatrave, Turaj dhe Novosejë kanë hapur me lopata rrugën e bllokuar nga dëbora.

Burime për gazetën Shqip, raportojnë se menjëherë pas marrjes së informacionit, policia e Kukësit nuk ka humbur kohë, por është nisur me  2 fuoristrada dhe 6 oficerë policie drejt fshatit ku jetonte vogëlushi, për ta transportuar për në spital. Lëvizja e mjeteve drejt zonës së lartpërmendur nuk ka qenë e lehtë, por pavarësisht kësaj, oficerët e policisë kanë mundur që të shkojnë në kohë. Vogëlushi, së bashku me familjarët e tij janë dërguar në spitalin rajonal të Kukësit. Ai  po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shtetit shprehet se është në shërbimin e qytetarëve dhe  për çdo problem që mund të kenë, duhet të telefonojnë në numrin 112 apo të dërgojnë imazhe në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, duke ju garantuar reagim në kohë.

Gazeta Shqip