Kryesoret SI E NJOHA KIÇO BLUSHIN, NJË MJESHTËR I BATUTËS!

SI E NJOHA KIÇO BLUSHIN, NJË MJESHTËR I BATUTËS!

368
SHPËRNDAJE

Nga Roland QAFOKU

Një lajm i trishtë na e mbylli ditën sot. Shkrimtari, gazetari, skenaristi, publicisti dhe miku i mirë Kiço Blushi u nda kjo jetë. Ishte një lajm i keq për njeriun që prodhonte vetëm lajme të mira. Shkrues librash dhe romanesh por më shumë një autor i një numri të madh skenaresh të filmave, Kiço Blushi mund të quhet me plot gojën babai i skenareve të filmave shqiptarë. E kush është ai shqiptar që nuk i mban mend?

“Silli lekët këtu. Vetëm në Paris blihen lule. Në Shqipëri i hanë gomerët”(Koncert në vitin 1936).

“Nëse ti ke mbeturina mikroborgjeze unë të godas. Unë dua të fejohem. Do të fejohesh? Shumë bukur (Çifti i lumtur).

“Prit kaliii. Kali është i xhaxhi Thomait. Ik moj tullumbace: (Beni ecën vetë).

Sa e ke orën o shok? Po ti e di që unë nuk kam orë. Po ti më përgjon mua dhe mamanë kur bisedojmë? Jo o babi. Unë i mbyll veshët por ju flisni me zë të lartë, sidomos mamaja”. (Në shtëpinë tonë)

Shqipëria të bëhet e mosvarme. (Nëntori i dytë)

Këto batuta i publikova edhe vjet në 75 vjetorin e ditëlindjes së tij bashkë me një urim. Më mori në telefon dhe më tha: Faleminderit Landi por fakti që më publikon punë të vjetra do të thotë se qenkam plakur shumë. U ndjeva ngushtë. Ai edhe në moment trishtimi për vete lëshonte vrik batutën sikur ta kishte përpunuar me orë të tëra.

Për një perdiudhë kohe Kiço Blushi ka qenë kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” dhe unë zëvendëskryeredaktor. Ai me një tog me libra e filma të botuar e publikuar dhe unë isha shumë i ri. Edhe stafi i gazetës ishte shumë i ri. Por profesori siç e thërrisnim ne, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk shikonte moshën si avantazh. As veprat e tij, Kurrë nuk mburrej, nuk krekosej e nuk kapardisej.

Çdo gjë e bënte si të re. Kam qenë me fat që e kam njohur nga afër pikërisht atë që batutën ia kisha mësuar përmendësh në filma por jo LIVE. Dhe batutat e filmeve nuk ishin asgjë përballë atyre që ai lëshonte në punë.

Tamam si ky shkrim që e botoi në vitin 2001 të shoqëruar me këtë foto plot humor me një grua shqiptare që peshohet në një peshore të huaj dhe që mban titullin: Ndërkombëtarë, ku e keni hallin? Por batuta sot është në gjysmë shtizë. Mjeshtri I saj nuk jeton më. Sot, unë dhe besoj të gjithë ata që e njohën dhe punan me të ndjehen të pikëlluar. Lamtumirë miku i shtrenjtë Kiço Blushi! Shpirti tu prehtë në paqe!