Kryesoret Diana Çuli: Kiço Blushi shembulli i intelektualit të angazhuar deri në fund...

Diana Çuli: Kiço Blushi shembulli i intelektualit të angazhuar deri në fund të jetës

254
SHPËRNDAJE

Ministrja e Kulturës dhe personazhe të botës së mendimit vlerësojnë figurën e Kiço Blushit

Shkrimtarja Diana Çuli e quan ndarjen nga jeta të shkrimtarit Kiço Blushi, një humbje për botën intelektuale shqiptare. “Kiço Blushi është një nga shkrimtarët, tregimtarët e skenaristët më aktivë në vitet “70 – “80 dhe “90, që trajtoi tema të ditës, probleme të jetës së njeriut dhe jo të militantit, as të të ashtuquajturit “njeriu i ri”. Ai e ktheu vëmendjen, përmes kësaj vepre, tek marrëdhëniet njerëzore dhe kompleksiteti i tyre, gjë e cila vërehet edhe tek skenarët e shumtë, po edhe në romanet e tij. Pena e Kiço Blushit nuk reshti as në vitet e tranzicionit, por mbajti gjallë frymën e qytetarisë, veçanërisht përmes publicistikës, që u karakterizua nga stili origjinal, herë sarkastik, herë me humor, herë drejtpërdrejt goditës, nga shikimi i mprehtë mbi problemet e shoqërisë, pa u tentuar kurrë nga kompromiset me ndërgjegjen. Ai është shembulli i intelektualit të angazhuar e të shqetësuar deri në fund të jetës për shoqërinë ku jetoi dhe kontribuoi”, thotë Çuli për shqiponline.  Shkrimtarë, gazetarë dhe njerëz të botës kulturore shqiptare kanë shprehur vlerësimet e tyre për figurën e Kico Blushit.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shkruan se “Beni ecën vetë” do vazhdojë të jetojë edhe pas ikjes me veprën e tij.  Kiço Blushi autori i dashur i fëmijërisë sonë, mjeshtri i fjalës dhe zëri i shoqërisë shqiptare. I paharruar kujtimi i tij!”. Josif Papagjoni kritik shkruan se :”Vdekja e Kiço Blushit me la trishtimin e beftë ndaj një shkrimtari me zë të fortë në letrat shqipe, romancier, dramaturg, skenarist, publicist. Qysh student, në vitin e dytë, vumë në skenë dramën e tij “Çatia e të gjithëve” me Kujtim Spahivoglin, mikun e tij.

Mbaj mend që i benim provat në një studio-aneks mbushur plot dekore e rrangalla skene, por ja aty unë e njoha Kiço Blushin, një djalosh simpatik tek erdhi dhe po ndiqte provat tona. Pastaj në Institutin e Larte të Arteve iu vu në skene drama “Shkallët”, po nga Kujtim Spahivogli. Më pas vijoi me drama të tjera, por u be një skenarist nga më të mirët. Tregimet e tij, sidomos romani për masakrën e Ali Pashës me vrasjen e 16 vashave të mbytura në liqenin e Janinës, ishte diçka tronditëse e risuese njëherit. I fundit takim qe pata me të qe diku nga pranvera e vitit që shkoi. U ulem te Kafja e Aleancës në Teatër, me dha një komedi për ta lexuar, edhe unë i dhashë një libër. Kaq.

Tek largohej nga unë, sepse kishte një “takim tjetër”, e mbante trupin qiri të drejte, energjik, gjithë shëndet, dhe kurrë nuk më shkonte në mendje se ky njeri do tëshuhej befas, kaq shpejt. I qofte dheu i lehte!”, shkruan Papagjoni. Ndërsa shkrimtari Luan Rama nga Parisi shkruan se “Kiço Blushi, ky humbës i madh!… Shkon në trisht, në mall, në luftë me vetveten dhe dëshirën për jetën. Në trisht dhe humbës sepse ai largohet pas një lufte c’filitëse me sëmundjen, pas shumë betejash në fushën e debatit të sotëm aktual për ardhmërinë. Më së fundi, diçka tjetër e bëri të heshtë dhe ta largojë nga skalionet e para dhe kjo arenë e luftës kundër pushteteve, pasi ai si pak të tjerë, kërkonin një Shqipëri tjetër, jo atë të dhunës së fjalës së lirë, jo atë të kaosit, të korrupsionit, të demokraturës… Humbësi ynë i dashur, ti n’a la shijen e hidhur dhe të kripur të dhimbjes, atë të mikut, shokut, të njeriut “integre”. Megjithatë nesër ky humbës, do të kalojë portën e kësaj bote me petkun e njeriut të pastër dhe të kurajos!”.

Gazeta Shqip