Aktualitet Ekskluzive/ Sonila Qato fut në kolaps ARRSH-në, nuk firmos pagat e punonjësve

Ekskluzive/ Sonila Qato fut në kolaps ARRSH-në, nuk firmos pagat e punonjësve

5313
SHPËRNDAJE

“Furtuna” që provokoi reflektimi nga protesta studentore në qeverinë “Rama 2” dhjetorin e shkuar, përfshiu edhe Sonila Qaton, e cila ishte një nga emrat surprizë të kabinetit që kryeministri ndërtoi pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.

Qato deri në shkarkimin e saj drejtoi Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrësit, ndërsa më parë kishte regjistruar një eksperiencë të gjatë në krye të Agjencisë për Trajtimin e Pronave.

Largimi nga posti i ministres nuk u përjetua keq nga Qato, pasi asaj më 22 janar ju besua drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, nga ministrja e re e Infrastrukturës Belinda Balluku që shkarkoi Afrim Qendron.

Por që nga kjo datë kur u vendos në krye të ARRSH-së, Sonila Qato ka ndërtuar një marrëdhënie që po çalon në shumë aspekte me punonjësit e agjencisë që ju besua për të drejtuar.

Gazeta Shqip ka arritur të mësojë nga disa burime se prej një muaji administrata e drejtuar nga ish-ministrja e Sipërmarrjes nuk është paguar dhe këtu nuk bëhet aspak fjalë për një ngërç me buxhetin.

Problemi që ka lindur në ARRSH e ka gjenezën te mosparaqitja e Sonila Qatos në dyert e institucionit që drejton. Burimet bëjnë të ditur se ajo nuk është prezantuar me punonjësit, e madje s’ka bërë asnjë mbledhje me ta.

Për më tepër ish-ministrja e qeverisë “Rama 2” nuk ka depozituar ende firmën e saj në thesar për të “zhbllokuar” lëvrimin e pagave të punonjësve. Një problem të ngjashëm Sonila Qato e ka regjistruar edhe në kohën kur drejonte ATP-në, ku futi për pak kohë në ngërç institucionin.

Ndërkohë, Qato ka prodhuar kaos në ARRSH pasi ka krijuar një rend hierarkik me 5 apo 6 vajza të reja, të cilat i ka punësuar rishtazi në këtë institucion dhe u ka deleguar të drejtën të flasin në emër të saj si drejtoreshë.

Sipas burimeve të Gazeta Shqip, ajo nuk është përballur asnjëherë vetë me asnjërin prej punonjësve. Qato gjithashtu ka shfrytëzuar urdhra indirektë për ta nxjerrë stafin në punë ditën e shtunë e të dielë, por edhe gjatë pasditeve, në shkelje të ligjit për administratën.

Ndër të tjera ajo ka kërkuar nga punonjësit që të jenë të gjithë në gatishmëri, ndërkohë që ARRSH ka struktura të veçanta për të qenë në gatishmëri, siç janë sektori i mirëmbajtes dhe ai teknik, por jo e gjithë administrata.

Gazeta Shqip