Sport Merr fund “agjërimi” 3-mujor, Skënderbeu ia kalon krizën Laçit

Merr fund “agjërimi” 3-mujor, Skënderbeu ia kalon krizën Laçit

47
SHPËRNDAJE

Më 11 Nëntor të vitit të kaluar, Skënderbeu mposhti Flamurtarin me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga Dejvi Bregu, ndërsa u deshën plot 3 muaj, që korçarët të rigjenin fitoren në kampionat.

Që prej asaj kohe, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi kishte regjistruar fillimisht një barazim me Tiranën dhe më pas 6 humbje radhazi, deri sot, kur mposhti Laçin me rezultatin 2-1.

Me shumë ndryshime në formacion, skuadra korçare u shfaq shumë kërkuese që në fillim të takimit, por përballë laçianëve nuk ishte aspak e lehtë që të gjenin avantazhin.

Në minutën e 55-të ishte sulmuesi kavajas Blerim Krasniqi, ai që zhbllokoi rezultatin në favor të Skënderbeut, ndërsa 20 minuta më vonë, arbitri akordoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol prurja e merkatos së janarit, Pervan.

Nën reshjet e shumta të shiut, që vërshuan thuajse gjatë gjithë pjesës së dytë, Skënderbeu nuk e uli aspak ritmin, por në minutën e 90′, arbitri akordoi një 11-metërsh për Laçin, të cilin këtë herë e ktheu në gol portieri dhe kapiteni Gentjan Selmani.

Por nëse korçarët rikthehen, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kurbinasit, të cilët fitoren e fundit në kampionat e kanë regjistruar më 15 Dhjetor përballë Tiranës dhe që atëherë, njohin dy barazime dhe dy humbje.

Pas javës së 21-të është sërish Partizani që kryeson kampionatin me 46 pikë, 8 më shumë se Kukësi, ndërsa vendi i tretë mbahet nga Teuta dhe më pas renditen Skënderbeu e Laçi.