Kryesoret Ngacmoi seksualisht 15-vjeçaren, PD: Polici ishte komisioner i PS në zgjedhje

Ngacmoi seksualisht 15-vjeçaren, PD: Polici ishte komisioner i PS në zgjedhje

544
SHPËRNDAJE

Në një kohë kur tronditja nga skandali i përdhunimit në Kavajë, ku u abuzua për 4 muaj me një vajzë 13-vjeçare mbetet ende prezente në opinion publik, fenomeni është përsëritur sërish, por këtë herë fatmirësisht me pasoja më të lehta.

Ngjarja e denoncuar sot ka ndodhur në Shkodër, aty ku shefi i policisë së zonës Grumiere (Malësi e Madhe), Berhan Bajrakurti ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçare, madje duke e marrë në makinën e tij dhe duke i dërguar foto e video të tij nudo në rrjetet sociale.

Për ngjarjen në fjalë komisariati i Koplikut ka heshtur dhe familja e vajzës ka marrë kërcënime sipas denoncimit të nënës së saj në portalin Newsbomb.

E teksa policia e Shkodrës reagoi duke arrestuar efektivin Berhan Bajrakurti, në media po qarkullon një video e shefit të Policisë së Malësisë së Madhe, i cili në një video skype tregon organin e tij gjenital.

Ndërkohë për ngjarjen ka reaguar edhe kreu i PD, Lulzim Basha gjatë një takimi me qytetarët e Lushnjes. Basha me tone të ashpra tha se polici ishte larguar nga detyra për shkak të ligjit dekriminalizimit, por ai u rikthye në Policinë e Shtetit nga PS.

“E patë atë që ndodhi sot më policin e Malësisë së Madhe? Ai person është larguar nga dekriminalizimi dhe PS e ka rikthyer në detyrë. Ai që duhet të mbronte fëmijët e shqiptarëve, ka dal në video duke abuzuar me një minorene. Kjo është e turpshme”, u shpreh Basha.

Një tjetër reagim ka ardhur nga radhët e PD, këtë herë me deputetin Bardh Spahia që shkruan në Facebook se Berhan Bajrakurtaj ka qenë komisioner i PS në zgjedhjet e qershorit të 2015.

“Rasti i Malësisë se Madhe është rasti me flagrant se si funksionon sot shteti. Shefi i komisariatit Berhan Bajrakurtaj i larguar nga dekriminalizimi kthehet ne detyre nga personat me te rëndësishëm politik te Partisë Socialiste te Malësisë se Madhe. Sigurisht qe ish-komisioneri i PS në zgjedhjet e qershorit 2015 ishte i domosdoshëm për mazhorancën e lidhur me krimin”, thotë Spahia.

Sipas deputetit të PS, “është e tmerrshme dhe thellësisht kriminale përpjekja e kupolës se policisë se Malësisë se Madhe dhe Policisë së Shkodrës për ta mbuluar këtë ngjarje nëpërmjet kërcënimeve të denoncuesve”.