Kryesoret Rrëfehet Majko: Studentët na trembën, për ndarjen e Kosovës vendos Prishtina

Rrëfehet Majko: Studentët na trembën, për ndarjen e Kosovës vendos Prishtina

298
SHPËRNDAJE

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko ka dhënë sot një intervistë për “Zërin e Amerikës” në Uashington, duke folur për disa çështje të nxehta në Shqipëri dhe në rajon.

Majko u pyet nga gazetarja për riformatimin që Edi Rama i bëri qeverisë gjatë Asamblesë së PS në dhjetor, duke mos mohuar faktin se gjithçka ndodhi si pasojë e reflektimit nga rebelimi i studentëve.

Madje ish-kryeministri i Shqipërisë nuk e ka mohuar se personalisht në një moment u frikësua nga revolta studentore. Kjo, pasi sipas Majkos protesta shprehte pastër dëshirën për t’i dhënë fund me këtë sistem politik, për të cilin as vetë nuk e mohoi që duket se është kalbur përfundimisht.

Sa i përket çështjes së bisedimeve Kosovë-Serbi dhe aludimeve për një shkëmbim të mundshëm territoresh, Majko ndryshe nga shefi i tij në Kryeministri, Edi Rama, u shpreh se vendimi i takon vetëm Prishtinës zyrtare.

PJESË NGA INTERVISTA:

Zëri i Amerikës: Në janar, Kryeministri Rama ndryshoi më shumë se gjysmën e qeverisë duke e quajtur këtë si reflektim ndaj protestave të studentëve. Kur një kryeministër ndryshon më shumë se gjysmën e qeverisë, çfarë treguesi është kjo për ecurinë e qeverisjes që nga koha kur filloi ky mandat i ri i socialistëve dhe në fakt çfarë ka ndryshuar në filozofinë e qeverisjes me ndryshimin e emrave?

Pandeli Majko: Mendoj se të gjithë kemi qenë nën reflektimin se çfarë duhet të bëjmë pasi lëvizja studentore ishte një lëvizje që realisht na shqetësoi të gjithëve. Unë, të them të drejtën, për herë të parë jam ndjerë i pasigurt për atë që po ndodhte. Sepse nga një anë ndjeja që po takoja vetveten, ata ishin studentë që po ngriheshin karshi, ta themi troç fjalës, një sistemi politik që ishte ndërtuar pas viteve 90-të, dhe që një pjesë e tyre mendojnë se është i kalbur, ashtu siç mendoja unë bashkë me shokët e mi në vitet 90-të.

Po ta vinit re, problemi më i madh aty nuk ishte se ata kundërshtonin qeverinë, madje ata nuk kërkonin as dorëheqje të qeverisë apo të ministrave të veçantë të qeverisë. Shqetësimi im më i madh ishte se ata nuk shikonin veten të përfaqësuar tek opozita. Dhe kjo sjell një problem të madh të opinionin publik me politikën shqiptare.

Zëri i Amerikës: Nuk besoj se ishte kjo situata.

Pandeli Majko: Mendoj se kjo ishte një pjesë e situatës. Unë nuk po përpiqem të jem shterues në atë që po shpjegoj. Po them atë që mua më shqetësonte më tepër nga gjithë kjo histori. Që do të thotë se sistemi politik nuk po përfaqëson opinionin publik. Një sistem politik që nuk përfaqëson opinionin publik të një vendi, atëherë duhet ta gjykojmë me arsyetimin, o ka filluar fundi ose sistemi politik po mbyll një cikël të vetin.

Zëri i Amerikës: Kalojmë pak tek Kosova. Ditët e fundit ka patur nxitje, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet një marrëveshje brenda këtij viti. Gjithashtu ka patur shumë debate duke filluar që nga ideja e korrigjimit të kufirit, vendosja e tarifave që po kundërshtohet me forcë nga Shtetet e Bashkuara, tarifat ndaj Serbisë. Si e shihni situatën dhe a jeni optimist për një zgjidhje këtë vit?

Pandeli Majko: Lexova me kujdes një editorial të dy ambasadorëve të respektuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd të cilët nënvizonin faktin e nevojës për një marrëveshje midis palëve dhe për heqjen dorë nga obstruksionizmi, që mu duk momenti i parë i rendësishëm, dhe i dyti për të realizuar një marrëveshje të pranuar dhe të zbatueshme.

Tek obstruksionizmi kam parasysh në radhë të parë mënyrën se si shteti serb sillet karshi shtetit të Kosovës, duke u përpjekur në mënyrën më maksimale ta bllokojë atë në çdo rol ndërkombëtar apo akt ndërkombëtar që shteti i Kosovës ndërmerr. Obstruksionizmi ka të bëjë edhe me mënyrën se si ka reaguar Kosova, por ne duhet të ndajmë kush është aksioni dhe kush është reaksioni. Pra duhet të ndajmë që tarifa e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, obstruksionizëm është, një gjë që në kushtet teorike është krejtësisht e pavend. Por ne nuk duhet ta shikojmë si një aksion, por duhet ta shikojmë si një reaksion.

Unë pres marrëveshje, siç edhe dy ambasadorët e respektuar kishin nënvizuar, të zbatueshme. Për idenë e shkëmbimit të territoreve, idenë e korigjimit të kufijve, ide të çuditshme që kanë qarkulluar mbi dhe nën tavolinë, sinqerisht kam qënë i rezervuar. I rezervuar për një fakt shumë të thjeshtë: ky është një lloj autoriteti apo autorizimi që i takon elitës politike të Prishtinës.