Kryesoret Çfarë po ndodh në PS, “senatorët” rebelohen kundër Ramës?!

Çfarë po ndodh në PS, “senatorët” rebelohen kundër Ramës?!

2944
SHPËRNDAJE

Përveç betejës së ashpër të opozitës nga të gjitha krahët dhe format, Edi Ramës i duhet të përballojë e sfidojë i vetëm edhe sulmet që i vijnë nga të tijtë.

Si nga kritika nga ish-anëtarë apo deputetë, ashtu edhe “thumba” nga ish-ministra të shkarkuar së fundmi. Historia në PS, në fakt ka treguar se gjithnjë ka pasur lëvizje të ndryshme brenda partisë, por përçarja nga njëra anë dhe vrulli i ndryshimeve politike i ka qetësuar. Të fundit në radhë janë nga dy “senatorë” të PS-së dhe figura të shquara ndër dekada, Pandeli Majko dhe Arta Dade.

Ministri i Diasporës gjithnjë ka pasur një marrëdhënie “dashuri-urrejtje” me kryeministrin, të ndezur vetëm për momentin dhe pa lënë polemika nga pas. Majko, i ftuar ditën e djeshme në zyrat e Zërit të Amerikës në SHBA, e kritikoi jo pak shefin e tij në lidhje me deklaratat kundër kësaj medieje prestigjioze, e cila publikoi disa biseda të përgjuara të kryebashkiakut të Durrësit Dako me bandën e Avdylajve.

“90 përqind e atyre që ai kritikon shumë ashpër, realisht kanë qenë shokë të tij, shokë bile shumë të afërt, një pjesë e tyre e kanë ndihmuar në shkallë të ndryshme të karrierës, siç e thonë tani së fundmi. Ne duhet ta bëjmë këtë diferencë. Për sa i përket mënyrës se si u shpreh ai për Zërin e Amerikës, unë kam rezervat e mia. Rezervat fillojnë që nga mënyra se si unë e kam marrëdhënien me Zërin e Amerikës”, – komentoi Majko.

Edhe pse Rama e quajti VOA-n “zëdhënëse të kazanit të Tiranës”, Majko në fund e zbuti: “Ka folur si gazetar më shumë e jo si politikan”.

Por pak orë më pas, e ftuar në një emision televiziv, Arta Dade ka lëshuar “bombën” e radhës: “Rama duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën një qeverisjeje tranzitore të drejtuar nga PS”, – u shpreh ajo.

Një rrufe në qiell të pastër për socialistët, kur bëhet fjalë për ish-ministren e Punëve të Jashtme. Një deklaratë që shton edhe më shumë zërat kundër Ramës në PS. Marrëdhënia e saj me kreun e qeverisë nuk është se ka qenë e shkëlqyer gjatë periudhës 2013-2017, por kjo ftesë për largim ishte e pamendueshme.

Një tjetër “senator” i vënë në radhë kundër eprorit të tij, është edhe Fatmir Xhafaj. Ish-ministri i Brendshëm, nuk ka folur asnjëherë në publik për marrëdhëniet me kryeministrin, por dalja e tij publike në krah të Erion Veliajt pak orë pas dorëheqjes tregon nisjen e një “lufte të ftohtë” mes të dyve.

Lista e “big”-ëve brenda partisë vijon edhe me ministrat e shkarkuar. Nga Arben Ahmetaj, Ditmir Bushati e deri te Damian Gjknuri. Të gjithë të zhgënjyer pas vendimit të Ramës për t’i shkarkuar dy ditë para fundit të vitit 2018.

Asnjë prej tyre deri tani nuk është “hakmarrë” ndaj kryeministrit, por sinjalet janë se të tre kanë nisur të ndjekin një linjë të ftohtë, personale dhe jo partiake për të mbajtur akoma në treg emrin e tyre si politikan. Mjafton të përmendet rasti i Ditmir Bushatit, i cili në një takim informal priti kreun e Lëvizjes Vetëvendosja në Tiranë, teksa më herët ky i fundit kishte dalë në mbështetje të protestave studentore në Shqipëri.

Por a është i vetëm Edi Rama në këtë luftë me “senatorët” e partisë? Jo, në dukje nuk është kështu. Në skenë janë ngjitur menjëherë emrat e Spiropalit dhe Gjylametit (kjo e fundit kritikoi deklaratat e Dades dje), pa harruar mbështetjen e pakufishme të Taulant Ballës, Erjon Braçes, Bashkim Finos, si dhe “heshtjen që flet” të Gramoz Ruçit.

Të rinjtë brenda PS duken të frymëzuar nga kryetari i tyre, në bazë edhe të interesave sigurisht, por me një opozitë të çorientuar dhe pa ide, frika më e madhe e Ramës mund të jenë… ”senatorët” e partisë.

Gazeta Shqip