Kryesoret Mund të kemi një “Çadra2”, deputeti zbulon emrin e kryeministrit tranzitor

Mund të kemi një “Çadra2”, deputeti zbulon emrin e kryeministrit tranzitor

2781
SHPËRNDAJE

Opozita shqiptare më 16 shkurt do t’i rikthehet shesheve, pasi do të zhvillojë një protestë të ashtuquajtur mbarëkombëtare nën dritaren e zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku pritet të artikulohen edhe thirrje për rrëzimin përfundimtar të qeverisë së tij.

Edhe në draft-marrëveshjen që kreu i PD, Lulzim Basha u ka propozuar aleatëve të tij theksi vendoset te krijimi i një qeverie tranzitore që të çojë vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.

E teksa ka zbuluar detaje rreth protestës së të shtunës, deputeti i LSI Endrit Braimllari ka zbuluar në studion e emisionit “Debati në Channel One” edhe emrin e kryeministrit të qeverisë tranzitore që mund të krijohet.

Braimllari deklaron se protestuesit do të qëndrojnë pa limit në bulevard, dhe me shumë gjasë do mbajnë të rrethuar kryeministrinë deri në largimin e Edi Ramës.

Deputeti i LSI theksoi se janë marrë masa që një pjesë e madhe e protestueseve të mos largohen pas fjalimeve, por të qëndrojnë te kryeministria për shumë ditë deri sa kryeministri të largohet nga detyra.

“Vetëm një qeveri tranzitore me një kryeministër tjetër do të jetë kushti që protesta të përfundojë. Nuk bëhet fjalë të ikë Rama dhe të vijë Basha, por të garantohet një proces zgjedhor i drejtë. Në këtë mënyrë një person brenda PS por pa cilësitë e Ramës që ne besojmë, përshembull është Pandeli Majko, i cili mund të garantojë zgjedhje brenda standarteve”, tha Braimllari.