Aktualitet Protesta e PD/ Policia apel të fortë: Do tentohet destabilizimi i Shqipërisë

Protesta e PD/ Policia apel të fortë: Do tentohet destabilizimi i Shqipërisë

780
SHPËRNDAJE

Na ndajnë edhe 4 ditë nga protesta e së shtunës, ku opozita e bashkuar ka paralajmëruar se do të provojë me të gjitha format të rrëzojë Edi Ramën nga pushtetit, për t’i hapur rrugë një qeverie tranzitore, e cila do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Para se PD dhe aleatët e saj t’i japin gaz për të ecur me fuqi të plotë më 16 shkurt, Policia e Shtetit ka dalë me një apel të fortë për politikën. Sipas Uniformave Blu pritet që në këtë tubim të marrin pjesë individë me precedentë penalë, të cilët do të synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.

“Policia e Shtetit u bën apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike. Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e policisë.

Ndërkohë, duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta.

Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë.