Politikë Ruçi pret Ziadin Selën: Mbështetje për shqiptarët e Maqedonisë

Ruçi pret Ziadin Selën: Mbështetje për shqiptarët e Maqedonisë

117
SHPËRNDAJE

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ka pritur në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela.

Mësohet se të takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Gjatë takimit u diskutua mbi rritjen e përpjekjeve e të bashkëpunimit për të maksimizuar përfaqësimin dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për rritjen e kontributit të tyre në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, të ardhmes së saj europiane si edhe të prosperitetit, paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Më tej në njoftim thuhet se, në këtë takim kryeparlamentari Ruçi, vlerësoi rolin dhe kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në zhvillimet e fundit pozitive në këtë vend, vlerësim të cilin ua kishte paraqitur edhe drejtuesve më të lartë të shtetit gjatë vizitës së tij të fundit në Maqedoninë e Veriut.

“Në këtë kontekst, u ra dakord se është e nevojshme që qëndrimet e forcave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të jenë në koherencë më partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të garantohet mbështetja dhe investimi ShBA-ve për mbështetjen e shqiptarëve si edhe për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit”, theksohet më tej në komunikatën zyrtare të Kuvendit.

Gazeta Shqip