Ekonomi Autoriteti i Konkurrencës: Bankers Petroleum, pozitë dominuese në tregun e naftës

Autoriteti i Konkurrencës: Bankers Petroleum, pozitë dominuese në tregun e naftës

345
SHPËRNDAJE

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në sitin e kompanisë “Albpetrol”, mësohet se janë disa kompani që operojnë në fushën e prodhimit apo gjetjen e vendburimeve të reja të naftës. Në zonën Patos-Marinëz operon kompania Bankers Petroleum Albania Ltd, nëpërmjet Degës së saj në Shqipëri, në Kuçovë Sherwood International” Ltd, nëpërmjet Degës së saj në Shqipëri, në Ballsh-Hekal “Anio Oil & Gas” sh.a, në Delvinë Delvina Gas Company Ltd., nëpërmjet Degës së saj në Shqipëri, në Visokë Transoilgroup A.G me operator “Transoilgroup” sh.a., në Pekisht-Murriz “Fin Pek Petroleum” sh.a., në Finiq-Krane “Fin Pek Petroleum” sh.a.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, duke marrë parasysh strukturën e tregut të prodhimit të naftës bruto në Shqipëri dhe ndërmarrjet përkatëse, kompania Bankers Petroleum ka një ‘pozitë dominuese në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto.” Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se furnizimi me naftën bruto të prodhuar nga Bankers Petroleum është i domosdoshëm për kompanitë që operojnë në tregun e përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të naftës.

Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në vend, atë të Patos Marinzës, e cila u rendit e katërta në vend sipas qarkullimit vjetor, ka deklaruar në bilanc një fitim kontabël përpara taksave prej 896 milionë lekësh, nga humbjet e mëdha prej 10.8 miliardë lekësh të 2 vite më parë.

Por sipas kompanisë, ky quhet fitim i izoluar dhe është hera e dytë kur Bankers deklaron fitim të tillë (rasti tjetër ishte në vitin 2014, kur çmimet e naftës kaluan mbi 100 dollarë për fuçi), por ajo nuk paguan tatim fitimi, pasi sipas deklarimeve të vetë kompanisë, nuk janë rikuperuar ende shpenzimet kapitale. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%.

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

Nga ana tjetër pavarësisht ekzistencës së këtyre kompanive këto tre dekadat e fundit, pothuajse nuk është raportuar dhe inventarizuar as një tonë rezervë nafte dhe as një normal m3 gazi në bilancin ekonomik të shtetit.  Po të shihet dinamika e ecurisë së industrisë së naftës mund të thuhet  se nga viti 1928 deri në vitin 1944 janë prodhuar 984,022 tonë naftë ; nga viti 1945-1960 janë prodhuar 3,876,440 tonë naftë; nga viti 1961 (mbas largimit të specialistëve sovjetikë) deri në vitin 1990 janë prodhuar 45,823,935 tonë naftë dhe nga viti 1991 deri ne vitin 2004 jane prodhuar 3,060,964 tonë naftë. Po ashtu, ndërsa nga viti 1960 deri në vitin 1990 u zbuluan një sasi e konsiderueshme rezervash.

Për periudhën 2012-2016, mesatarisht 90% e kësaj lënde të parë është eksportuar jashtë vendit. Niveli më i lartë i eksporteve është arritur në vitin 2012, me 99.9% të totalit, ndërsa më i ulët në vitin 2014, kur 82% e lëndës së parë të nxjerrë ka ngelur në vend.

Lënda e parë fosile që nxirret në Shqipëri konsiston kryesisht në naftë bruto dhe bitum, për të cilat janë ngritur rafineri përpunuese në Ballsh dhe Fier. Por, për shkak të mungesës së investitorëve seriozë gjatë dekadës së fundit, në këto rafineri është punuar pak dhe me ndërprerje të shumta.

Kjo ka bërë që shumica e lëndës së parë që nxirret në vend të shkojë për eksport. Sipas Instat, lëndët e para fosile të energjisë të prodhuara në Shqipëri arrijnë çdo vit në më shumë se 1 milion tonë. Rekord është shënuar në vitin 2014, kur prodhimi arriti në afro 1.5 milionë tonë. Për vitet në vazhdim, prodhimi ka ardhur në rënie, edhe si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të çmimeve të lëndëve të para, që ka frenuar investimet nga kompanitë e industrisë nxjerrëse.

Atlasi.al