Extra Kuriozitete Gjendet zgjidhja, depresioni mund të kurohet me terapi magnetike 

Gjendet zgjidhja, depresioni mund të kurohet me terapi magnetike 

569
SHPËRNDAJE

Depresioni mund të trajtohet me terapi që përfshijnë komunikimin me pacientin, ilaçet ose kombinimin e të dyjave. Por ekziston edhe një trajtim që përçon impulse magnetike direkt në tru.

Sonya Kibbee-t i pëlqen të luajë ping-pong. Kibbee punon si fizioterapiste në qytetin Kolumbia të Misurit. Zakonisht ajo është aktive, por vitin e kaluar, për shkak të një depresioni të rëndë, ajo u përball me vështirësi për të marrë vendime, qoftë edhe për gjërat më të thjeshta. “Mendoja edhe për budallallëqet më të vogla, për të cilat zakonisht ne nuk mendojmë fare. Kjo gjë të streson edhe më shumë, pasi çdo vendim sado i vogël, bëhet i vështirë”, thotë Sonya Kibbee, paciente.

Njerëzit që vuajnë nga depresioni shpesh janë apatikë. Depresioni ndikon tek zakonet e tyre të të ushqyerit dhe tek gjumi, edhe pse marrin ilaçe, apo i nënshtrohen terapisë. Sonya Kibbee ka menduar edhe vetëvrasjen dhe është shtruar disa herë në spital. Pastaj ajo dëgjoi rreth një trajtimi të quajtur “Stimulimi Magnetik Transkranial”, ose TMS, i cili nuk përfshin ndërhyrje kirurgjikale, apo anestezi. Për këtë trajtim përdoret një spirale për të përçuar impulse të fuqishme magnetike në tru.

“Këto impulse stimulojnë neuro-transmetuesit që janë sinjalet kimike, të cilat përmirësojnë komunikimin mes zonave të ndryshme të trurit që janë përgjegjës për humorin. Me kalimin e kohës, simptomat e depresionit përmirësohen”, thotë Muaid Ithman, universiteti për Kujdesin Shëndetësor, Misuri.

Duket sikur dikush të prek lehtë në kokë, gjë që mund të shkaktojë dhimbje koke. Përpara se të niste trajtimin, Kibbee mori një ilaç për dhimbje koke, nga ato që jepen pa recetë. Vetëm një javë më pas, ajo vuri re një ndryshim domethënës.

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

“Thjesht u ndjeva shumë më mirë”, thotë pacientja Sonya Kibbee. Pas më shumë se 30 trajtimesh, simptomat e depresionit tek ajo pothuajse u zhdukën.”Në thelb tek 50 apo 60 për qind e njerëzve që vuajnë nga depresioni që nuk i bëjnë efekt trajtimet, do të kenë rezultat pozitiv pas TMS-së. Ndërsa tek një të treta e pacientëve, simptomat largohen tërësisht”, thotë mjekja psikiatre.

Instituti Kombëtar amerikan i Shëndetit Mendor thotë se bazuar në dy studime mbi sigurinë e trajtimit “Stimulimi Magnetik Transkranial”, me përfshirjen e shumë pjesëmarrësve, shumica e efekteve anësore, të tilla si dhimbja e kokës, janë të lehta, ose të moderuara. Por për shkak se trajtimi është relativisht i ri, efektet anësore afatgjata janë ende të panjohura dhe është e nevojshme kryerja e studimeve të tjera.