Sport “U çmenda për Durmishaj”, Bushi: Shqiptarët s’e ndjejnë fanellën greke!

“U çmenda për Durmishaj”, Bushi: Shqiptarët s’e ndjejnë fanellën greke!

401
SHPËRNDAJE

Alban Bushi, ka qenë përfaqësuesi i kuqezinjve që kishte raport më të mirë se gjithë të tjerët me talentin Fiorin Durmishaj. Trajneri i kombëtares U21 është edhe personi që ka mbetur më i tronditur nga vendimi i yllit të Panionios për të zgjedhur kombëtaren greke për të përfaqësuar.

Bushi ka folur për median helene “gazzetta.gr” rreth vendimit të Durmisha, duke “thumbuar” kombëtaren greke, pasi sipas tij shqiptarët që e kanë zgjedhur kurrë nuk e kanë ndjer këtë fanellë.

“Durmishaj ishte pranë meje për dy vjet në kombëtaren e 21-vjeçarëve. Është një lojtarë që kemi folur shumë herë. Është një djalë i mirë dhe futbollist i zoti. E vërteta është se u çmenda kur mësova se zgjodhi Greqinë. Por, unë i njoh shumë mirë gjërat në Greqi. Kemi parë Kolën tek Olimpiakosi. Lojtarët nxjerrin bukën në Greqi, por zemrën e kanë te Shqipëria”, ka thënë Bushi.

Tekniku i 21 vjeçarëve, i cili ka luajtur me tre ekipe greke si Apolon Smirnis, Levadiakos dhe Apolon Kalamarias ka thënë se Durmishajt mund t’i kenë “vjedhur zemrën” duke i premtuar karrierë në një klub të njohur.

“Nuk e di nëse kur veshin fanellën e Greqisë ndjejnë diçka. Zemra e tyre duhet të rrahë për ngjyrat kuqezi. Nëse i kanë premtuar para dhe një transferim të bujshmë Durmishajt përmes kombëtares greke, është një gënjeshtër. Jam i sigurt që do të bëhet pishman. E njoh shumë mirë Greqinë”, është shprehur Bushi.