Botë A do të jetë Joe Biden kandidati për President në SHBA?

A do të jetë Joe Biden kandidati për President në SHBA?

157
SHPËRNDAJE

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden duket se po i afrohet vendimit për të hyrë në garën presidenciale dhe një vendim zyrtar mund të shpallet brenda disa javësh. Nëse zoti Biden kandidon, anketat tregojnë se ai do të ishte në krye të listës së demokratëve që kërkojnë presidencën. Por është shumë e mundur që zoti Biden të përballet me kritika lidhur me pikëpamjet e tij të moderuara nga rivalët demokratë, një pjesë e mirë e të cilëve anojnë më nga e majta e spektrit politik.

Anëtarë të sindikatës së zjarrfikësve e nxisin zotin Biden të kandidojë për president. “E vlerësoj energjinë që treguat kur po vija në skenë. Ruajeni edhe pak. Mund të më duhet pas disa javësh”, tha zoti Biden. Në Uashington, zoti Biden dha një ide të temave të fushatës, nëse hyn në garë: “Njerëzit duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Duhet t’i japim gjithkujt një shans. Të mos injorojmë askënd, të mos demonizojmë askënd, as të varfrin, as të dëshpëruarin, as imigrantin, as ‘tjetrin’”, tha ai.

Zoti Biden kryeson në anketa mes emrave demokratë që kanë kandiduar, por do të ketë mjaft konkurrencë, përfshirë senatorin Bernie Sanders.  “Ato idetë radikale për të cilat folëm para katër vjetësh? Sot, praktikisht të gjitha ato ide mbështeten nga shumica e amerikanëve”, thotë Senatori Sanders. Mbi 12 demokratë kanë hyrë në garë, përfshirë disa që mund të tërheqin votuesit më të rinj dhe më të larmishëm, si senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris.