Opinion MBI KRIZËN MORALE TË ÇIFLIGJEVE POLITIKE

MBI KRIZËN MORALE TË ÇIFLIGJEVE POLITIKE

151
SHPËRNDAJE

Nga Bajram PEÇI

Në vendet me demokraci të zhvilluar partitë politike dhe shoqëria civile, me mjetet e saj të informimit, mbron normat morale dhe krijon vlera. PD dhe LSI, të shushatur, pa busull, me një anije aleance që fut ujë, bëjnë të kundërtën, rropaten të shkatërrojnë vlerat e sistemit. Të ndihmuar nga media-t, armike të Edi Ramës, nxisin klimën e luftës, sepse e dinë që ajo favorizon shkeljen e procedurave demokratike. Me kërkesat e tyre i thonë kryeministrit dhe partisë në pushtet: tolerojeni budallallëkun! Por budallallëku dhe budallai nuk tolerohen.

Sistemi demokratik në pluralizëm vjen përmes zgjedhjeve, përmes votës së lirë. Kjo është sanksionuar në kushtetutën e republikës dhe gjen zgjidhje përmes procedurash që rrjedhin nga ligje e akte nën ligjore. Çdo burrec i krekosur, që del dhe shpall republika të reja, opinioni e di që luan bllofin. Lëvizja budallaqe më e fundit e tij është dorëzimi i mandateve. Shpresa që ushqen marrëzitë e kësaj skote të dëshpëruarish janë zgjedhjet e parakohshme. Të tilla ndodhin. Kishte në Maqedoni para pak kohe. Si rregull ato kryhen kur mes palëve arrihet në një marrëveshje, në thelb të së cilës qendron argumenti, “Ruajtja e unitetit kombëtar”.

Momentalisht Shqipërinë e ndajnë urrejtje te nxitura sa nga agjenti i UDB-së, aq dhe nga të rënit nga vakti. Lënia e tyre mënjanë në dobi të vendit, ja vlen mbase edhe ta bëjnë një marrëveshje. Po me kë? Para së gjithash këto marrëveshje vijnë përmes dialogut. Kur njëra palë, në këtë rast opozita, mbajtësit e pushtetit i quan armiq dhe largon deputetët nga parlamenti, vendi më i përkryer për bashkëbisedim, gjëja që të shkon ndërmend nuk është vetëm cilësimi “budallenj”, por sidomos etiketimi “aventurierë” u shkon më shumë për shtat.

Është gjuha që përdorin, gjuha e linçimit të kundërshtarit, që të jep të drejtën t’i mendosh të tillë. Thirrjet për destabilizim nxjerrin në pah tiparet e tyre më të errëta, ato të aventurierit. Bashkimi grotesk i një partie që mbahet si e djathtë, me një tjetër të majtë, por që as vetë se kanë idenë ç’janë, por dinë se do e përdorin për qëllime klienteliste, paraqitet se aleancë në kushte krize. Të flasësh sot për të djathtë e të majtë, nuk ka shumë kuptim, deri sa ata, Luli me Monën, as njohin dhe as kanë programe që i dallon, por detyrohesh të flasësh e të shkruash se duhet t’u kujtosh pellgun e qelbur ku janë zhytur.

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

Në shoqëritë moderne duart e “hirësive të tyre” nuk puthen më, as gjunjëzimi s’praktikohet, dy shenja këto të nënshtrimit, por rëndom, në “oborr”, te deputetët e dorëhequr të opozitës është përdorur përulja. Ata u ndodhën duke pluskuar në parlament, sepse ishin zgjedhje e nipit dibran (haha…), kryetarit Basha për t’i vënë në lista. Duke mos ditur të bëjnë gjë tjetër në jetë, përveç kalbjes në politikë, kokëulur e në heshtje u nënshtrohen vendimeve aventuriere. Këta frikacakë sillen kështu sepse kryetari, në rast ngritje të kokës, u pret karrierën.

Në Shqup torturohen t’u bien në sy shefave dhe, meqense nuk kanë guximin e Rudina Hajdarit, meqë u mungon guximi, u mungon kultura e kundërshtimit, sapo u thonë “digjni mandatet”, e bëjnë këtë pa pikë dinjiteti e të nëpërkëmbur, duke rënë kështu pre e krizës së nevrastenikëve kolerikë.

Intelektualët, siç shumica nga këta deputetë të dorëhequr vetëquheshin, duhet t’i dallojë liria, që duket açik se nuk e zotërojnë. Intelektualin, deputetin, si rregull nuk mund ta ndrydhë asnjë pengesë, asnjë lloj censure partiake. Ata duhet të shkruajnë e të botojnë ç’tu ketë ënda, por dhe të guxojnë të revoltohen kur shohin se nëpërkëmben nga pronarët e Partisë Demokratike dhe asaj, që paradoksalisht ka emrin Lëvizje për Integrim, por lëvizin tërë kohën kundër integrimit. Në këto rrethana, këta zara bënë mirë që ikën dhe shqiptarët do t’ua dine për faleminderit, që nuk do t’i shohin të paktën dy vjet të ulur në ndenjëset e larta të kuvendit.

Në një çiflig partiak, ku nuk ka njeri dhe s’ka aftësi t’i vihet kufi marrëzisë së këtyre sjelljeve, siç është dalja nga parlamenti, së bashku me kërcënimet e parreshtura që bëjnë për prishjen e paqes sociale, përfundimi ku mund të arrish është veçse gërmadha morale e tyre. Partitë që drejtojnë, pjella të mundueshme të pluralizmit politik, i kanë shkatërruar.

Pak a shumë këta delenxhinj, që kërcënojnë paqen sociale, i kemi dhuratë edhe nga ligji zgjedhor, i cili është ndërtuar në mënyrë të tillë që njerëzit të mos mundin dot të zgjedhin përfaqësuesit e vet, por votojnë njerëzit që kryetarët e partive kanë caktuar për të shkuar në parlament. Nga ana e tyre, kryetarët e dy forcave të mëdha politike kanë ngulur thonjtë në mishin e këtij ligji dhe nuk ka burrë t’ua shkuli, përpos se t’ua presësh. Të sigurt, arrogantë, qëndrojnë madhërisht para turmave, me veshje të zgjedhura me kujdes e me respekt të madh për veten e postet që mbajnë. Pf…ptu!

Hëm! Do rrëzojmë diktaturën-thonë! Nuk e kanë fjalën dhe aq për shumicën parlamentare, por për shembjen e strukturave të ngritura e që po ngrihen për reformën në drejtësi, “të kapura” sipas tyre nga kryeministri. E dini se çfarë do ndodhë kur kësaj aleance t’i jepet pushteti? Po përmend atë më banalen: do përgjysmohen shlyerjet e pagesave të energjisë elektrike!

“Politikanët-shkruante kohë më parë i ndjeri Umberto Eco-u përkasin shtresave të rrezikshme të shoqërisë, si hajdutëve, priftërinjve e hoxhallarëve…”. Kur sheh se si doktoresha nëpërkëmb për interesat e familjes së saj të zgjedhurit për të përfaqësuar popullin, të vjen për të vjellë nga niveli moral i papranueshëm i këtyre pjellave të shëmtuara të tranzicionit postkomunist. Hajdutët e xhepave janë ku e ku me të ndershëm.

Gazeta Shqip