Kulturë Pikëtakim me shqiptarët në Tokën e Shenjtë

Pikëtakim me shqiptarët në Tokën e Shenjtë

457
SHPËRNDAJE

Luan Rama

“Hebrejtë, – shkruan një ndër poetët më të mëdhenj izraelit Jehuda Amishai, – janë si një rezervat i përjetshëm pylli, ku drurët rrinë ngjitur njëri me tjetrin, madje dhe të vdekurit. Nuk kanë vënd për tu shtrirë. Ata qëndrojnë drejt, mbështetur tek të gjallët.”… Pikërisht këtë simbiozë të të vdekurve dhe të gjallëve, të historisë së lashtë të krijimit të botës dhe modernitetit të fillimit të këtij mijëvjeçari, simbiozën e pikëtakimit të historisë së Shenjtë me njeriun e sotëm, duket se ndjen çdo vizitor kur shkel për herë të parë në Izrael. Një vend padyshim mitik, pasi kryeqendra e tij, Jeruzalemi është një referencë identitare jo vetëm për hebrenjtë, por dhe për kristianët dhe muslimanët. Tri fetë më të mëdha monoteiste të botës, judaizmi, kristianizmi dhe muslimanizmi i kanë kthyer sytë nga Jeruzalemi, pasi ky qytet, si asnjë qytet tjetër i botës është tri herë i shenjtë : aty janë varrezat më të lashta hebraike të botës dhe rrënojat e tempujve të Davidit e të Solomonit ; aty është varri i shenjtë i Krishtit ; dhe po aty është vëndi ku në kodrinën e shenjtë, në rrënojat e xhamisë El-Aksa, siç thotë Kurani, Profeti Muhamet u ngjit në qiell. Mitologjia, këngët e vjetra, luftrat, pushtimet, masakrat dhe djegiet e herëpasherëshme të këtij qyteti që rilindtë serish si feniksi, ritet, jetët dhe vdekjet, janë mpleksur në atë vënd në një lidhje të pazgjidhshme.

Kur udhëton në Izrael e Palestinë, afërsia e dy popujve është e prekshme dhe e përhershme dhe së pari në gjuhën që flasin njerëzit që ndesh. “Selam alekum” thonë arabët, “shalom ala hem” thonë hebrenjtë. Ulliri quhet “zait” në hebraisht dhe “zeit” në arabisht. Emrat muslimanë si Ibrahim, Ismail apo Jusuf janë për hebrejtë Abraham, Ishael, Jocef. Edhe arabët muslimanë, edhe hebrejtë, të vdekurit i mbështjellin me qefin. Fëmijët e të dy popujve bëhen synet që të vegjël. Rite të ngjashme dhe afërsi kulturash mjaft të dukshme. Të dy popujt agjërojnë: “Ramadani” dhe “Kipuri”. Ismaili dhe Isaku ishin vëllezër, thonë të vjetrit. Bijtë e Ismailit u bënë muslimanë tregon historia e vjetër e kësaj toke të lashtë. Bashkë i përjetuan dyndjet e ardhura nga larg, romakët, kryqëtarët, kryqëzatat. Tek udhëton, nga një rrugë në tjetrën, përshëndetjet që dëgjon ndryshojnë veç shqiptimin e tyre: ”shalom” apo “selam alekum”. Është një potpuri e habitshme, e cila që dymijë vjet më parë ka qënë tepër e natyrshme dhe shumë e afërt. Jo rrallë buzë rrugës, ku shfaqet një fshat hebre, sheh nga ana tjetër dhe minarenë e një fshati palestinez. Nëpër rrugë njerëzit mpleksen pa arritur të kuptosh në se është arab apo hebre, nëse është druz (një sekt musliman, me rite krejt të tjera), beduin apo maronit i krishterë. Karmieli në kodër ka përballë një fshat palestinez ; në Bushhalam, hrebrenjtë banojnë në një fshat me palestinezët, në Nazaret po ashtu, e kështu me rradhë kur kalon nga një portë e Izraelit në tjetrën apo kur del nga ky qytet për të shkuar drejt Detit të Vdekur.

Shqiptaro-hebrenjtë në Tokën e Premtuar

 

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

Miqtë e mi shqiptaro-hebrenj janë në Haifa dhe Tel-Aviv. Pikëtakimin e parë doja ta bëja me mikun tim të mirë e të mençur Jocef Jakoel, që kurrë nuk e harroi Shqipërinë e që jetonte gjithnjë me shpresën se një ditë do të kthehej dhe ai në Tokën e Premtuar, në atdheun e Davidit dhe të Solomonit. Dhe dita erdhi në fillimin e viteve 90-të, kur rrugët shqiptare u hapën dhe komuniteti hebre mori rrugën e kthimit drejt Tokës së Shenjtë. Dhe Jocefi u kthye me lot në sy, duke parë për herë të fundit Shqipërinë dhe duke pëshpëritur : “Krahët të më thahen po të harrova ty Shqipëri ». Jocefi kishte vdekur, bashkë me gruan e tij Aliqi. Të dy pranë e pranë në atë varrezë të thjeshtë me gurë të mëdhenj, vullkanikë, ku prehej paqja, në cep të qytetit. «Cefi», siç e quaja unë, ishte kryetari i shoqatës së parë Shqipëri-Izrael, dhe i pari që u ul të shkruante kujtimet e tij për komunitetin hebre veçanërisht në kohën e luftës, atëherë kur ky komunitet rrezikohej të shuhej në kampet e përqëndrimit të nazistëve si miliona hebrenj të tjerë në vënde të ndryshme të Europës. Cefi kishte shumë plagë në shpirt. Plagët ishin njerëzit e tij të zhdukur gjatë luftës në Greqi, motra, fëmijët e saj dhe i shoqi, ashtu si dhe të afërm të tjerë kishin përfunduar në kampet e përqendrimit nga nuk u kthyen më. Cefi mbylli sytë një ditë të paqtë, pasi ishte ngopur me detin e Izraelit, vdiq në prehërin e Abrahamit dhe me imazhin e asaj toke të largët, Shqipërisë që e kishte rritur dhe mbrojtur si bij të saj. Vite kanë kaluar dhe në atë varrezë, gjithnjë e më shumë sheh të shtohen emrat e hebrenjve-shqiptarë të moshuar, ata që përjetuan epokën e holokaustit ku humbën njerëzit më të dashur që ishin nëpër Europë. Por megjithatë, kujtimi për Shqipërinë do te jetonte gjithnjë në shtëpitë e tyre, në vizitat dhe letrat që shkëmbeheshin, në gjuhën shqipe që vazhdon të flitet edhe sot. Familjet hebre Matathia, Mandili, Levi, Menehem, Kohen, Solomoni, Kantozi, Arditi, Ruben e shumë të tjerë, e mbajnë ende të pashuar përkushtimin e shqiptarëve në qytetet e Vlorës, Beratit, Durrësit, Shkodrës, Kavajës e Tiranës…

Qyteti i Karmelit është një qytet i ri dhe i bardhë që i ngjitet një kodrine të gjelbëruar. Aty jetojnë nja 30 familje shqiptarësh, mes të cilëve dhe familja Shvarts (e motra e përkthyesit të famshëm Robert Shvarts). Janë vila të reja me oborre të vogla, aty këtu me pemë të sapo mbjella, mollë apo dardha, në çatitë e të cilave ngrihen parabolat që të mund të kapin stacionet shqiptare. Në këtë mënyrë, Shqipëria është e pranishme çdo mbrëmje dhe në Karmel apo gjetkë nëpër Izrael. Aty janë dhe hareja e moderniteti shqiptar, dhe zallahitë e politikës që vijnë nga Shqipëria. Hebrejtë-shqiptarë nuk janë të shumtë në Izrael, megjithëse kur i takon në Tel-Aviv apo Haifa, në Karmiel, Ashdov, Bersheva apo Hedera, madje dhe kosovarët në Jeruzalem, të ardhur gjatë luftës së Kosovës, jeta e tyre të gëzon, pasi të gjithë janë mirë dhe të gjithë kanë mall. Disa janë biznesmenë që punojnë madje dhe me Shqipërinë, të tjerë inxhiniere, imobilierë, agjentë të turizmit, mjekë apo mësues. Por Shqipërinë në Izrael mund ta takosh gjithashtu dhe në pemët e mbjella në kopshtin e Jad Washem, kopshtin me pemët në kujtim të atyre që mbrojtën hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore . Në këmbë të këtyre pemëve janë shkruar emrat e “fisnikëve” shqiptarë, siç u thonë këtu atyre që i kanë mbrojtur ata nga holokausti (“Fisnikë të Kombeve”). Emrat e mbi dyzet familjeve shqiptare janë shkruar tashmë në memorialin e madh të historisë tragjike në muzeun e holokaustit « Jad Washem »: Veseli, Kristidhi, Kadiu, Lito, Buhali, Myrto e Toptani, Uli, dhe Zenuni, Sheko e dhjetëra të tjerë.

Familja e Ksenia Efimovskit është vendosur në Bialik, një qytezë apo lagje e Haifas, qyteti i tretë i Izraelit. I shoqi i saj, Aleksandri, një rus i « bardhë », i lindur në Tiranë, është një inxhinjer që e njohu « mirë » epokën totalitare të Shqipërisë, kur pse kishte të atin në burg duhej të transportonte për vite me radhë thasë çimentoje mbi kurriz. Kur dalim për të shkuar në Ako, nuk habitesh të dëgjosh shpesh nëpër rrugë njerëz që flasin gjuhën ruse. « Janë hebrenjtë e Rusisë, – më thotë Aleksandri dhe përshëndetet me disa prej tyre. Shumë prej tyre janë instrumentistët virtuozë që mund ti gjesh ngado, madje dhe në rrugë. Çdo parti politike ka interes ta bëjë për vete këtë elektorat që i kalon të 1 milion e gjysëm banorë ». Ksenia është violiniste si formacion por dhe një poliglote e vërtetë, me një eksperiencë të pasur në fushën e turizmit dhe të historisë dhe me një kulturë të veçantë. Duke ecur nëpër Bialik ajo më kujton duke qeshur se ky qytet ka marrë emrin e poetit Bialik, i cili thoshte se « Izraeli..

Feliçeta Jakoel është sot kryetare e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri. Është një mikeshë e vjetër e familjes sime dhe nga të parat që zbarkoi në Izrael. Ajo është vendosur tashmë në Tel-Aviv, bashkë me familjen e saj. Juda, i shoqi, një ekonomist mjaft elokuent është bërë si një shqiptar i vërtetë, pasi pasioni për Shqipërinë tek ai është i jashtëzakonshëm. Madje mund të flasësh dhe shqip me të, ashtu si dhe me Shirlin, vajzën e saj…Feliçeta punon në Muzeun e Pavarësisë në qendër të Tel-Avivit, në qendrën historike të këtij qyteti, në atë ndërtesë britanike të para një shekulli buzë Bulevardit Rotschildt. E habitshme ta dëgjosh tek u flet një grupi turistësh në hebraisht, një tjetri në anglisht, një grupi tjetër në italisht, në greqisht, në frëngjisht, spanjisht e kështu me radhe…Në Muzeun e Pavarësisë, ajo më tregon për atë natë të vitit 1948, kur komuniteti hebre i Tel-Avivit, me Ben Gurionin dhe Golda Meyer në krye, pikërisht ditën që u larguan britanikët, shpallën shtetin e tyre. Ata e dinin se të nesërmen do të fillonte lufta, por në emër të të gjitha atyre vuajtjeve të luftës dhe të eksodit mijëvjeçar, ata vendosën krijimin e shtetit të tyre. Tel-Avivi (i cili e ka marre emrin nga vepra e ideatorit te shtetit të Izraelit, Teodor Herzl “Tokë e vjetër dhe e re”) sot është një qytet perëndimor e dinamik që nxiton drejt zhvillimit, një qytet i ngrohtë, këmbët e të cilit lagen në ujërat e Mesdheut. Por ai është dhe një qytet i njohur i spektaklit dhe i kulturës, i artit, letërsisë dhe muzikës, ku mesazhet pikturale biblike te Shagallit gjejnë kuptimin e tyre më të thellë. “Tel-Avivi është zëmra e Izraelit të sotëm, ndërsa Jeruzalemi është shpirti i tij”. Në fakt nuk mund ta kuptosh Izraelin pa historine e tij, pa njerëzit e tij të mëdhenj, pa një Anjshtanj, Rotschildt, Adorno, Benjamin e Marcuse, pa nobelistët e Paqes Rabin dhe Perez, pa nobelistët Agnon dhe Bashevi Singer, veprat e të cilëve janë përkthyer dhe në shqip. Hebrenjtë dhe historia, hebrejtë dhe fqinjët e tyre arabë… Nismat për një bashkëjetesë të paqtë nuk mungojnë, as këngët e përbashkëta të paqes kënduar nga hebrenj dhe palestinezë, por sa herë « hapet koha » dhe shpresohet paqja, përsëri do të ndodhë të afrohet një « rrebesh i madh »…

Rashela

Bashkë me Feliçeta Jakoel ne shkuam dhe në periferi te Tel-Avivit për të takuar gjyshen e Judës, Rashelën. Nën një diell të bukur, ajo grua 94 vjeçare qëndronte ende e ulur në oborrin e shtëpisë ku kishte lindur, duke murmuritur copëra këngësh të vjetra. Kur na pa me dy sy që ende shkëlqenin, na përshëndeti me dashuri dhe nxori një psherëtimë si të përshëndeste së fundmi botën e të gjallëve. Rashela kishte qenë jetime që fëmijë, kur ishte dhjetë vjeç. Atëherë Palestina po pushtohej nga britanikët dhe për ti shpëtuar luftës turko-britanike, ajo dhe e motra i a kishin mbathur në Egjipt, siç kishin ikur dy mijë vjet më parë hebrenjtë pas revoltës së tyre dhe masakrimit, në kohën e eksodit. Disa vjet më vonë, dy motrat ishin kthyer nëpër shkretëtirë, më së shumti me këmbë duke e gjetur shtëpinë e tyre të zbrazët dhe të shkatërruar. Më 1948, kur u shpall shteti i Izraelit dhe lufta shpërtheu serish, kësaj radhë midis arabëve dhe hebrenjve, Rashela nuk deshi të lëvizë më nga shtëpia. Le të vdes, mendoi ajo, por këndej nuk shkulem. Ky është vendi i të parëve të mi ! Arabët dhe hebrenjtë i a mbathën, por në fund të luftës hebrenjtë u kthyen ndërsa arabët e Xhafo-s, jo.

Në jetën e saj, Rashela do të shihte shumë luftëra, dhe atë të 1967, dhe atë të 1973… Gjithë jeta i kaloi me ngjarje tronditëse, por ajo nuk e humbi shpresën se një ditë hebrenjtë dhe arabët do të jetonin përsëri bashkë, si mijëra vjet më parë. Atë ditë që e pashë në oborrin e saj, nën diell, Rashela dukej se po largohej e paqtë. A thua Paqja po afronte vërtet në tokën e përbashkët të palestinezëve dhe izraelitëve ? Ajo kurrë nuk i kishte urryer arabët, madje fliste si ta gjuhën e tyre. Ajo e dinte se në mugëtirën e historisë, populli i tyre kishte qenë një: ashtu siç Isaku dhe Ismaili kishin qenë bijtë e Abrahamit. Të njëjtën gjë shkruante dhe shkrimtari i njohur izraelit Amos Oz, pretendent për çmimin Nobel, në librin e fundit të tij “Midis të Drejtës dhe të Drejtës,,: “Konflikti izraelo-palestinez, nuk është një lloj filmi Far-west, nuk është një luftë mes së mirës dhe së keqes. Në fakt është një tragjedi, dhe në kuptimin më të lashtë të fjalës është një përplasje midis të Drejtës dhe së Drejtës, midis një kërkese të fuqishme, të thellë dhe bindëse dhe një kërkese tjetër jo më pak bindëse, të fuqishme e humane. Palestinezët janë në Palestinë sepse Palestina është atdheu i tyre i vetëm. Hebrenjtë janë në Izrael sepse nuk ka një vend tjetër në botë që ata mund ta quajnë mëmëdhe.”