Politika mbi komentet e lexuesve
- Gazeta “Shqip” ka hapur mundësi për lexuesit e saj të shprehin opinionet e tyre në çdo lajm që nga data 1 maj 2012. Politika jonë kryesore mbi opinionet e lexuesve është që çdo opinion të merret i mirëpritur. Por disa opinione, në këndvështrimin tonë, kur kanë përmbajtje joetike, ato mund të bien ndesh me Kodin e Etikës në Media dhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe/ose ligje të tjera.
- Çdo gazetë dhe çdo gazetar në shoqëritë demokratike, i nështrohet parimeve etike të njohura dhe/ose kodeve të etikës të shkruara. Ne besojmë se çdo lexues që dëshiron të japë opinionin e vet, duhet gjithashtu t’i vetënënshtrohet parimeve etike elementare si: mosfyerja e njerëzve të tjerë, respektimi i tjetrit dhe moscënimi i nderit e dinjitetit të tij, ruajtja e privatësisë e të tjera.
Për këtë arsye, kemi hartuar deklaratën e mëposhtme e cila është e detyrueshme për t’u respektuar nga të gjithë komentatorët.
- Komentet në gazetën “Shqip” nuk duhet të përmbajnë fyerje të karakterit personal të artikullshkruesve, personazheve të përfshirë në artikuj apo grupimeve shoqërore, etnike, kulturore, gjuhësore etj.
- Komentet nuk duhet të mbartin gjuhë urrejtjeje apo fyese ndaj të tjerëve për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.
- Komentet nuk duhet të kenë në përmbajtje të tyre fjalë që konvencionalisht në gjuhën shqipe pranohen si fjalë të pista, fyese apo denigruese.
- Ndalohet nxitja e urrejtjes, thirrjet për dhunë ndaj individëve, grupimeve apo institucioneve.
I. Mënyra e zbatimit të kësaj Deklarate mbi Etikën
- Komentet e lexuesve në gazetën “Shqip” lejohen të kryhen me emrin e plotë ose të pjesshëm të opinionistit ose me pseudonim, por në çdo rast, lexuesve u kërkohet të identifikohen përmes një adrese poste elektronike, ndërsa sistemi garanton identifikimin e kompjuterit nga është kryer komenti.
- Pseudonimet, megjithëse janë të pranuara, nuk mund të jenë emra figurash të njohura publike, vendëse apo të huaj, pra nuk lejohet që dikush të përdorë emrin e një tjetri për të përçuar një mesazh.
- Komentuesit që nga stafi i gazetës “Shqip” vlerësohet se shkelin këtë Deklaratë në opinionet e tyre, u sugjerohet fillimisht t’i përmbahen Deklaratës dhe pas paralajmërimit të parë dhe të dytë, stafi i gazetës mund të marrë vendim për bllokimin e të drejtës së komentimit duke përdorur për këtë qëllim adresën e postës elektronike dhe adresën e kompjuterit. Bllokimi i të drejtës së komentimit mund të zgjasë nga disa javë në përgjithmonë, në rast se nuk vërehet vetëkorrigjim nga ana e komentuesit.
II. Mbrojtja e Privatësisë
- Pavarësisht se adresa e postës elektronike dhe numri identifikues i kompjuterit regjistrohen në sistemin tonë për të gjithë komentuesit, këto të dhëna përbëjnë sekret për gazetën “Shqip”, ruhen si të tilla dhe në asnjë rast nuk i transferohen palëve të treta.