Ndoshta do të shkonte më shumë një titull tjetër që shkakton më pak nuanca asociative të ftohta, agresive. P.sh. “të ecësh pa krye” etj., por duke përdorur një proverb, kuptimin e të cilit e dinë të gjithë, do t’i largohesha realitetit, më saktë përsiatjes për të, pasi morali i kësaj fjale sentencë është të ecësh pa menduar. Sepse kështu përdoret shpesh në komunikimin e përditshëm, filani ecën pa krye, d.m.th., pa menduar etj. Dhe në të vërtetë shqetësimi im lidhet me diçka shumë më të thellë, me sindromën e pashoqe, me sindromën e tmerrshmë, sipas të cilës ne edhe jetojmë pa krye, pra me krye të prerë, madje edhe vallëzojmë mbi këtë fakt. Dhe një dreq e di se kush ua futi të parëve tanë këtë sindromë si sot e një mijë vjet më parë.
Ndodh që dasmat të bëhen edhe në pranverë, siç ndodhi këto ditë diku në anët tona e ku isha i pranishëm me disa miq të huaj. Aty më bëri përshtypje të fortë një këngë e vallëzuar që bënte fjalë për Ali Pashë Tepelenën, historinë e të cilit e njohim në vija të përgjithshme. Kënga e vallëzuar thotë “të vranë Ali Pasha, të shtrinë, koka në Stamboll-more, trupi në Janinë, të vranë Alia Pasha, të shtrinë...”, siç është në të vërtetë kënga. Një i huaj më tha se në tingëllimin e kësaj kënge të vallëzuar apo valle të kënduar, seç kishte një ngjyrë tragjike, por nga ana tjetër i hidhte njerëzit përpjetë nga gëzimi, tha ai duke bërë një lëvizje me gotë në dorë sikur të vallëzonte edhe vetë. Kur ai mësoi të përkthyera vargjet e këngës lëshoi një shikim zhgënjyes nga turma valltare, dhe tha: si mund të vallëzosh dhe të kënaqesh mbi faktin që dikush e bëri njeriun copa-copa? Kësaj i thonë të vallëzosh pa krye, tha i huaji duke e çuar “shakanë” deri në fund.
Trishtova mënjanë duke “vrarë” mendjen, (përsëri po përdor një fjalë të tmerrshme për të treguar të menduarit), se kush na e futi në mesin tonë këtë mënyrë të gëzuari me koka të prera, a thua se mezi kemi pritur që Aliun ta shtrijnë dhe tani po kënaqemi. Por duke vrarë mendjen kështu nuk del askund, sepse ajo këngë me fjalë të tmerrshme që këndohet në ditën më të shënuar që ka një familje apo një çift, pra në ditën e dasmës ku festojnë qindra njerëz, shpreh, ndoshta spontanisht sindromën tonë mijëvjeçare, dhe ndoshta më qartë se kurdoherë shpreh të tashmen dhe të ardhmen. Medet. Si mund të gëzojnë njerëzit me fjalët e kësaj kënge që flet për heroin e copëtuar, të masakruar. Tamam sikur do t’u thotë njerëzve, se në fund të fundit “bisht qeni keni për të ngelur” vallëzoni sa të doni. Të gjykosh në pikëpamje etike kjo përbën mbase, ndotje të moralit të çastit trashendent të bashkimit të dy njerëzve ku zë fill jeta, por një analizë e tillë them se do ta banalizonte temën dhe do ta sabotonte sëmbimin e trishtuar. Gjatë verës që iku kjo këngë e vallëzuar apo valle e kënduar më kishte shqetësuar mjaft, por me dimrin e gjatë, thashë, do të sfumohet edhe jehona e trazuar e Aliut dhe stinët e reja do sjellin domosdo ritme të reja. Por, ja mu në nisje të pranverës njerëzit të mbyllur në një sallë gjigante përsëri vallëzojnë me vargje tragjike që kullojnë gjak...
Ka udhëtuar edhe më herët në psikikën e shqiptarëve sindroma i vallëzimit me krye të prerë, madje siç duket nga dëshmitë, në mënyrë të përsëritur është dukur këtej sa herë që njerëzit kanë menduar se është harruar ose nuk ekziston më. Që në vitin 1389, sindroma i ekzistimit pa krye u fut ndër ne. Të dhënat folklorike nuk shprehin domosdo realitetin historik, por shprehin në një farë mënyre cene të kolektivit, Millosh Kopili nga Drenica, një nga prijësit ilirë, siç e quajnë me demek, në luftën e Kosovës të vitit në fjalë, vret sulltanin pasi lufta kishte përfunduar, pra mbasi fati i saj ishte vendosë e ku ballkanasit ishin humbës. Pasi ky vret në shatorre sulltanin, ushtarët e vrasin duke ia prerë kryet. Deri këtu e tregojnë kështu edhe kronikanët e kohës së atëhershme. E rapsodët kënduam më pas sikur Millosh Kopili mori prapë kryet me duar e duke mbajtur në sqetull shkon tutje, udhëton nuk dihet se nga. Disa vajza që mbushnin ujë te kroi bërtitën "medet, qysh mundet me ecë njeriu pa krye", po Milloshi çiti e tha, "unë pa kry e ju pa sy", me demek ato nuk po e shihnin që ai e kishte kryet me vete, ndonëse jo në vendin e duhur (!). Rapsodët e kënduan këtë variant shekuj me radhë, a thua nga nevoja për një ringjallje të kurajës heroike, a thua për ndonjë shkak tjetër, por që ishte gjithsesi një “udhëtim pa krye” duke pohuar fatalisht mosbesimin në jetën, madje duke mohuar dhimbshëm e në mënyrë të vazhdueshme domosdonë e një drejtimi “me krye”. Ndoshta vrasësi i sulltanit nuk ishte shqiptar, apo ndoshta sulltani nuk u vra nga një ballkanas, por ia lanë shqiptarit për t’i lënë më pas përndjekjen e gjatë, siç ndodhi në të vërtetë.
Edhe më herët akoma, ndoshta njëmijë vjet para Kopilit, sindroma e “vallëzimit pa krye” karakterizonte paraardhësit tanë. Edhe atëherë më shumë besohej një i vdekur se një i gjallë. Atribuimi i fuqisë njeriut të vdekur si një pamundësim i pabesë i jetës e ka dëmtuar orientimin e njeriut që në kohën e lashtë. Edhe monumenti që i ngrihet besës së dhënë duke ia besuar një të vdekuri përmbushjen e saj, si në rastin e Kostandinit që ngrihet nga varri etj., më shumë e ka dëmtuar sesa i ka shërbyer njeriu. Ka rrëzuar fatalisht besimin te fuqia e jetës.
Disa dekada më parë është kënduar shumë në Shqipëri, madje edhe në koncerte zyrtare në kor, një këngë po kaq e pakuptimtë dhe absurde, “në gojë të ujkut hedhim valle...” për të cilën nuk mungonin edhe atëherë sarkazmat, kuptohet vetëm nën zë, po sikur ujku ta mbyllë gojën, atëherë çka do të bëhet me ne. Nuk është problemi vetëm te regjisori i cili mund t’i japë turmës, aspak rastësisht, ashtu si pacientit një produkt që ta vdesë moralisht pak nga pak dhe do t’ia humbë orientimin. Por të bën përshtypje gatishmëria e turmës për t’u thelluar në absurd. Dhe kjo gjë, ndër të tjera a nuk tregon sindormën e marshimit pa krye që na karakterizon vazhdimisht gjatë gjithë historisë? Edhe sot, që ne jemi të ndarë si komb në pesë copë, a nuk janë vetë shqiptarët që i thonë njërit-tjetrit, mirë se takohemi në Bruksel, pra atje ku nuk shkojmë së bashku, në një rrugë si të tjerët. A nuk ishte pak a shumë kjo psikologji që la mbrapa vendin tonë në fundin e shekullit XIX dhe në fillimin e shekullit XX kur një pjesë luftoi për mëvetësinë dhe për bashkimin e pjesa tjetër thoshte hajt se takohemi në Stamboll...
Po përse ne rreshtohemi gjithnjë me vonesë në frontet ku vendosen kombet, me vonesë pavarësia dhe në një të tretën, me vonesë kthesa demokratike, me vonesë integrimi në BE, me vonesë... sepse ecim pa krye.
A nuk jemi sot në një krizë të pashmangshme ekonomike ndërsa të huajve, kryesisht Europës i themi, jemi mirë dhe kemi rritje, kur rritja as në kuptimin e numrit të popullsisë nuk është e vërtetë. Thuhet se grekët, të cilët ndodhen shumë kilometra përpara me ekonomi në raport me shqiptarët, por edhe me shumë kombe të tjera, po përpiqen me zgjuarsi të përfitojnë nga kriza botërore, pasi krizat janë edhe përfitim dhe jo thjesht rrezik. Dhe nëse ata e bëjnë këtë, kjo ndodh sepse ata ecin me krye, nuk ecin pa orientim siç ndodh me shqiptarët.

© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.