Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

18 Maj 2013

SHBA, një burrë vdes në bunkerin e ndërtuar për t’i shpëtuar fundit të botës

2012-04-29

Kaloi 8 vjet për të ndërtuar një strehim super të mbrojtur, ku gjeti vdekjen pasi vrau gruan dhe vajzën

Një burrë 41-vjeçar në SHBA shpenzoi tetë vjet nga jeta e tij për të ndërtuar një bunker, i cili do ta shpëtonte atë nga fundi i botës, por në fakt brenda gjeti fundin e tij. Peter Keller ishte nga ata lloj njerëzish që mendonte se ishte e nevojshme që njeriu të përgatitet për më të keqen.

Ai ishte i bindur se fundi i botës ishte shumë pranë. Pasi kishte ndërtuar bunkerin e tij shpëtimtar, Keller kishte filluar të hiqte mënjanë ushqim, rroba dhe të gjithçka tjetër që mund t’i përdorte për të mbijetuar. 41-vjeçari, pas kësaj kishte vrarë gruan e tij, Lynette, 39 vjeç dhe vajzën, 18 vjeç dhe i kishte vënë flakën shtëpisë së tij, që gjendej  në North Bend, një qytet në lindje të Seattle, në SHBA perëndimore.
Pasi bëri gjithë këto veprime, Keller kishte vendosur të niste jetën e re në strofullin e tij të fshehtë.

Duke shuar zjarrin në shtëpinë e Keller, zjarrfikësit gjetën trupat e dy grave dhe brenda një kasaforte me derë gjysmë të hapur disa fotografi ku dukej një bunker shumë i sofistikuar. Agjentët morën në pyetje fqinjët, të cilët treguan se Keller kishte ndërtuar "diçka" në një pyll jo shumë larg nga shtëpia e tij. Me ndihmën e gjurmuesve specifikë, policia gjeti hyrjen e bunkerit, e fshehur mjeshtërisht edhe nga bimësia.

Për orë të tëra ata negociuan me 41-vjeçarin në mënyrë që të dilte nga bunkeri dhe të dorëzohej. Provuan shumë mënyra. Madje, edhe me gaz lotsjellës në mënyrë që ai të dilte vetë jashtë, por galeria e bunkerit ishte hermetike dhe e mbyllur shumë mirë, prandaj gazi nuk mund të depërtonte. Rrethimi zgjati deri në agim, kur agjentët hynë në strehën e ndërtuar nga Keller, ku gjetën edhe trupin e tij të pajetë. Rreth vetes kishte armë të shumta dhe një jelek antiplumb. Tani për tani, hetuesit nuk kanë përcaktuar ende motivin për aktin e Keller.

Pas 11 shtatorit dhe ngjarjeve në Nju Jork është rritur numri i amerikanëve të cilët kanë ndërtuar bunkerë apo strehëza  për t’i shpëtuar fundit të botës. Dhe paralelisht është rritur edhe numri i të ashtuquajturave "patriotë", grupe të vogla të cilët urrejtjen dhe mospëlqimin ndaj shtetit e shprehin duke grumbulluar armë dhe municione, të cilat besojnë se i kanë të nevojshme për të mbrojtur veten. 29 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.