Kanionet e Osumit janë ndër monumentet natyrore më të spikatura të Shqipërisë. Me gjatësi 14 km, gjerësi 15-20 m e thellësi 100-120 m, ato fillojnë në Miçan të Përmetit e përfundojnë në Vaun e Grepckës, pranë Çorovodës. Përrenjtë e shumtë që derdhen në Osum përgjatë Kanioneve formojnë tetë ujvara të mrekullueshme. Ka disa ngushtica shkëmbore, që shkojnë deri 1,8 m, ku varkat kalojnë me vështirësi. Në shtratin e lumit ka burime me ujë të ftohtë e vende të shkëlqyera për pushim. Bota shtazore mesdhetare është e larmishme dhe vegjetacioni mjaft i pasur e gjithëvjetor. Përreth ka pyje të harlisura lisi e dushku. Buzë kanioneve nuk mungojnë objektet e trashëgimisë kulturore e vendet legjendare si “Gjurma e Imam Aliut“ etj.
Kanionet e Osumit zënë vendin e katërt në Europë, pas Kanionit Tara në Malin e Zi (78 km, i dyti në botë pas Grand Canion-it të Kolorados në shtetin Arizona/SHBA, 446 km), Verdonit të Francës-21km dhe Samarias të Greqisë-17km. Edhe për thellësinë Kanionet e Osumit radhiten ndër të parat në kontinent.
Vitet e fundit, pas ekspeditave natyrore dhe organizimit të lundrimit me kajak nga Albanian Rafting Group, këto kanione po bëhen gjithnjë e më të njohura. Numri i vizitorëve po rritet nga viti në vit. Kanioni i parë vizitohet nga lart nëpërmjet rrugës automobilistike në bregun e djathtë të Osumit. Shumë interesante janë ecjet në këmbë, për 3-4 orë, në anën e majtë. Kanionet mund të shihen nga poshtë pa ndërprerje për disa orë, nga Miçani deri në Çorovodë, nëpërmjet vozitjes me varkë. Në pranverë, pas shkrirjes së dëborës e në ditët me diell të vjeshtës, kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Në këtë periudhë “Grand Canyon“-i merr pamjen e tij më madhështore. Kanionet e Osumit janë një vend ideal edhe për sportin ekstrem të ngjitjes dhe zbritjes me litar.
Për të shfrytëzuar sa më mirë këtë pasuri kombëtare dhe këtë resurs të madh për zhvillimin socio-ekonomik të Qarkut Berat është mirë të shqyrtohen e të zgjidhen disa çështje:
Kanioneve të Osumit t’u jepet statusi “Park Kombëtar“ dhe, në përputhje me këtë status, të hartohet rregullorja e ruajtjes dhe shfrytëzimit të tyre. Shembuj ka plot: Kanioni Tara/Malit i Zi-Park Kombëtar 1977, Pasuri e UNESCO-s; Grand Canyon, Arizona/SHBA-Park Kombëtar 1919; Kanioni Verdon/Francë-Park Natyror Rajonal 1997; Kanioni Samarias/Kretë, Greqi-Park Kombëtar 1962; Kanioni Paklenica/Kroaci-Park Kombëtar 1949, Pasuri e UNESCO-s 1978 etj.
Riprojektimi e rindërtimi i rrugës turistike Berat-Kanionet e Osumit, me shkurtime e standarde bashkëkohore, duke vazhduar më tej në pikën kufitare “Tri Urat” e duke hapur një portë të re ndërkombëtare.
Mbrojtja e Kanioneve. Ndalimi i hedhjes së mbetjeve urbane, ndërtimeve pa leje, nxjerrjes së gurit, dëmtimeve nga zjarri dhe dëmtimeve të tjera të vegjetacionit. Kryerja e ndërhyrjeve infrastrukturore në kanione si: shkallë të gdhendura në shkëmb, shkallë druri, metalike apo guri, ura të vogla, pasarela, rrugica, tunele të vogla këmbësorësh, shtigje, monopate, rampa, platforma, parmakë, ballkone, tabela orientuese, stenda informuese me harta, kënde çlodhjeje etj., në mënyrë që të rritet atraksioni dhe kanionet të vizitohen pa vështirësi nga sipër, nga poshtë dhe në të dyja anët. Shembujt e ndërhyrjeve janë të shumtë në kanionet e Zvicrës, Austrisë, Francës, Gjermanisë, Spanjës, Irlandës, Sllovakisë, Greqisë, Sllovenisë, Kroacisë, SHBA-së etj.
Ngritja e strukturave menaxhuese si biletari, skuadra të kontrollit teknik, pika të ndihmës së shpejtë, shërbime shëndetësore, personeli i sigurisë së vizitorëve etj. Kthimi në gjendje të vizitueshme i objekteve të trashëgimisë kulturore e historike dhe bërja e monumenteve natyrës pranë kanioneve lehtësisht të arritshme. Mbështetja nga strukturat shtetërore e Tour-Operatorëve të Kanioneve të Osumit.
Përmirësimi i marketingut dhe publicitetit nga njësitë vendore përfituese, dhe subjektet private vepruese, nëpërmjet botimeve turistike, shkencore, librave, albumeve, broshurave informative, fletëpalosjeve, filmave, DVD-ve, emisioneve televizive e radiofonike, ekspeditave, faqeve të internetit në disa gjuhë etj. Bashkëpunimi me radiot, televizionet e gazetat më prestigjioze ndërkombëtare. Përveç ndikimit në rritjen e numrit të vizitorëve, publikimet sjellin të ardhura të drejtpërdrejta. Shembull është libërthi për Kanionin Verdon, i cili kushton 3,7 €. Nga shitja e tij për vitin 2010 u siguruan rreth 1 milion € të ardhura.
Përfitues të drejtpërdrejtë nga shfrytëzimi turistik i Kanioneve të Osumit janë komunat Miçan, Çepan, Qendër, Bogovë si dhe bashkitë Çorovodë e Berat. Përfitues të tërthortë janë Bashkia Poliçan dhe Komuna Vërtop, nga përmirësimi i rrugës dhe rritja e fluksit të lëvizjes. Kanionet e Osumit do të kenë, padyshim, efekte induktive. Oferta turistike kombëtare merr një cilësi të re. “Grand Canion“-i kthehet në një “magnet“ të fuqishëm për të vizituar Shqipërinë.
Për financimin e projekteve ka disa rrugë. Projekti inxhinjerik i rrugës Berat-Kanionet e Osumit - Tri Urat mund të financohet nga Këshilli i Qarkut Berat. Ndërtimi i saj mund të kryhet me bashkëfinancimin e Qeverisë Shqiptare dhe Fondit të BE për Zhvillimin e Rajoneve. Investimet e vogla në Kanionet e Osumit realizohen me të ardhurat nga biletat dhe me fondet e njësive vendore. Vetëm nga shitja e biletave mund të sigurohen çdo vit qindra mijë euro. Shembull: në Kanionin Samaria të Kretës të ardhurat nga biletat për vitin 2010 arritën në 675.000 €. (135.000 turistë x 5 €). Organizimi i grupeve të vozitjes me kajak, nëpërmjet paketave prej 50-60 € për person, ku përfshihen drejtimi i grupeve nga personeli i specializuar, qiraja për varkën, fjetja, ushqimi, vizitat në objektet historike e muzeale dhe shërbime të tjera, është një biznes që u sjell të ardhura jo vetëm subjekteve vepruese, por edhe njësive vendore dhe shtetit. Për shembull rafting-u në Tara/Mali i Zi kushton 60 €/varkë. Fjetja në kasolle alpine 6 €/person. Fjetja në kamper ose çadër 3 €/nata/person. Në Verdon të Francës punohet me paketa 7 ditore (hotel+autobus+muze+rafting etj.), që kushtojnë 1250 Euro/person.
Resurset tona të zhvillimit janë këtu. Trekëndëshi Trashëgimia Kulturore e Beratit-Parku Kombëtar i Tomorit-Kanionet e Osumit, ky kombinacion i rrallë në një reze prej 60 km, është një ofertë turistike shumë pikante. Ne vetëm duhet të sillemi ndryshe me pasuritë tona unikale, të përputhim interesat, t’u krijojmë vizitorëve kënaqësi e çlodhje dhe ata i shpërblejnë këto pa u kursyer.

© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.