Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të zgjedhë sot në një mënyrë të veçantë, 192 subjekte që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurive të tyre deri në vitin 2011. Nisur nga nevoja për më shumë transparencë në kontrollin e përvitshëm të pasurive, ILDKP-ja ka vendosur të nxjerrë më në sipërfaqe mundësinë që për kontroll të plotë të kalojnë ato subjekte që kanë një interes më të madh për opinionin publik. Kështu, drejtuesit e këtij institucioni kanë vendosur që këtë vit të ndryshojnë mënyrën sesi do e hedhin shortin, për të përzgjedhur një numër të caktuar zyrtarësh nga secila kategori. “Shorti këtë vit ka një specifikë interesante, pasi subjektet që do të përfshihen në këtë procedurë, të cilët në total janë 4630 zyrtarë, do të ndahen në 7 kategori të ndryshme, në bazë të funksionit apo institucionit dhe prej secilës kategori do të përzgjidhen 4 për qind e tyre”, theksohet për njoftimin për shtyp të ILDKP-së në lidhje me procedurat që do të ndiqen sot për këtë përzgjedhje. Sipas mënyrës së re të përzgjedhjes, nga kategoria e ministrave dhe zëvendësministrave do të zgjidhen tre subjekte dhe po kështu gjashtë do të jetë numri i të zgjedhurve nga deputetët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. ILDKP-ja do të mundësojë sot që të zgjidhen 29 prokurorë dhe gjyqtarë, pasuria e të cilëve do të kalojë për kontroll të plotë. Nga ana tjetër, numri i nëpunësve të nivelit të mesëm që do të kalojnë për kontroll do të jetë 55, 17 do të zgjidhen nga pushteti lokal dhe 73 subjekte nga administrata tatimore e doganore në vend. “Në total do të përzgjidhen 192 subjekte të të gjitha niveleve. Ndarja sipas funksioneve krijon mundësi që këtë vit nga shorti të përzgjidhen zyrtarë të lartë si ministra, deputetë e titullarë të rëndësishëm të institucioneve qendrore”, theksohet në njoftimin e ILDKP-së. Subjektet që do të kalojnë për kontroll të plotë do të hetohen nga ky organ për të gjithë pasurinë që kanë vendosur që nga momenti i deklarimit të parë dhe po kështu në hetim pritet të kalojë edhe pasuria e personave të lidhur me ta. Vitet e tjera shorti i hedhur në mënyrë të përvitshme ka nxjerrë shpesh në sipërfaqe subjekte që kryesisht kanë pasur statusin e nëpunësit të mesëm, nisur edhe nga fakti se numri i tyre ka qenë më i madh se ai i zyrtarëve të lartë. Për pasojë, probabiliteti i shortit ka qenë i madh për të përfshirë këtë kategori zyrtarësh në hetim të plotë. Por nisur nga kërkesa e publikut dhe nevoja për rritjen e transparencës, duket se ILDKP-ja ka menduar të ndryshojë mënyrën sesi e organizon këtë short. Po këtë vit është bërë e mundur që pasuria e zyrtarëve të kalohet në filtra dhe më të fortë nisur nga disa ndryshime që i janë bërë Kodit Penal, në lidhje me përgjegjësinë që kanë personat e lidhur me zyrtarin gjatë procesit të deklarimit të pasurive.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.