Ish-lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano është duke zhvilluar një takim me kryetarin aktual të PS, Edi Rama.
Takimi po zhvillohet në selinë e Partisë Socialiste, në ambientet e së cilës, Fatos Nano, për shkak të konflikteve dhe mospërputhjeve me liderin aktual të PS, kishte një kohë të gjatë që nuk shkelte.
Fatos Nano është kandidati i parë i vetëshpallur për president, megjithëse kjo ambicie e tij mendohet të ketë qenë edhe më e hershme.
Në këtë kuadër, Nano ka shprehur angazhimin e tij për të lobuar me të gjithë përfaqësuesit e politikes aktive në vendin tonë, në mënyrë që të bindë në masë sa më të gjerë mbi potencialet e tij për të qenë kreu i shtetit.
Më herët ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, ndërkohë që ka shprehur dëshirën për të pasur një takim edhe me kryeministrin Sali Berisha, takim që u shty për shkak të axhendës së Kryeministrit dhe vizitës në SHBA.
Takimi i sotëm mes ish-liderit të PS dhe atij aktual, Edi Rama bëhet me qëllim që Nano të marrë mbështetjen nga ish-partia e tij për të qenë kandidat i saj për president të vendit, pasi PS ende nuk e ka një kandidat zyrtar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. 26 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.