Në përfundim të takimit midis kreut të PS, Edi Rama dhe ish-liderit të saj, Fatos Nano, i cili ka zgjatur për më shumë se dy orë, Fatos Nano, pretendenti për postin e presidentit të vendit, i pyetur nga mediat e shumta të pranishme para selisë së PS, është treguar i rezervuar për të folur konkretisht mbi çështjen për të cilën ai e vizitoi pas 5 vjetësh selinë rozë, pra që të marrë mbështetjen e ish-partisë së tij për postin e presidentit të vendit.
“Eshtë një takim i paralajmëruar për të folur nga afër jo vetëm mbi platformën që kam paraqitur publikisht për sfidën presidenciale, por edhe për një zgjidhje të krizës në përputhje me kërkesat e vendit, të atdheut në 100-vjetorin e pavarësisë dhe në funksion të një dinamike më prodhuese të klasës politike. Vlerësoj mirëkuptimin në zhvillimin edhe në PS, dhe sidomos faktin që është e dobishme të vlerësohet roli i PS si forca kryesore e vendit në përballimin e sfidave”, - u shpreh Nano.
I pyetur në lidhje me qëllimin e vërtetë të vizitës së tij në selinë e PS, pra për çështjen e presidentit, Nano është shprehur:
“Ju ftoj të bëni durim, pasi ky produkt nuk mund të jetë ende nëse nuk u shërben të gjithëve, pa kaluar në raundet e njëpasnjëshme. Unë dhe kreu i PS, i LSI dhe forcave të tjera politike nëse do të jetë e mundur, do të vazhdojmë të mbështesim realizimin e sfidës presidenciale në përputhje me kërkesat për integrimin e vendit tonë”. 26 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.