Fryma e Re Demokratike është partia më e re, e cila do të mbledhë mesditën e së hënës, në një seli përballë Parlamentit të Shqipërisë, jo vetëm themeluesit e saj, por me dhjetëra simpatizantë, që do të brohorasin për krijimin e kësaj force të re të së djathtës.
Kryetari i përkohshëm i kësaj force politike, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa, njoftoi dje mediat për emrin e kësaj force politike dhe ditën e themelimit të saj, pas më shumë se gjashtë muajsh punë për organizimin, si dhe mbajtjen në konfidencialitet të kësaj nisme. Por duket se pritja relativisht e gjatë për krijimin e partisë, u ka vlejtur organizatorëve, për të siguruar mbështetje të madhe në momentin e themelimit, si dhe për t’u futur në negociata me deputetë të tjerë të grupit parlamentar të PD-së në kuadër të tërheqjes së tyre drejt partisë së re.
Burimet nga grupi organizator bëjnë të ditur se janë në negociata me rreth dhjetë deputetë demokratë dhe vendimi i tyre për të kaluar në FRD pritet të merret në muajt në vazhdim. Nënkryetari i këtij grupi, Edi Paloka, tha dje se deklaratat e Topit që PD-ja e ka larguar ish-nënkryetarin e saj duke e ngritur në pozitë, janë vetëm qesharake.
E hëna do të zbulojë në fund dhe emrat e plotë të themeluesve kryesorë të partisë, të cilët do të jenë rreth 15 dhe mes tyre nuk do të mungojnë dhe figura të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Fakti i lidhjes se kësaj partie me kreun aktual të shtetit, Bamir Topi, ka sjellë vazhdimisht reagimet nga përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD-së. 28 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.