Partia Fryma e Re Demokratike mori 246 pëlqime në faqen e vet në rrjetin social Facebook http://www.facebook.com/FRDemokratike brenda njëzet e katër orëve të para të hapjes dhe numri i njerëzve që po shprehin pëlqimin e tyre për këtë parti po rritet vazhdimisht. Një vizitë në faqen e partisë që njihet më së shumti si partia e Presidentit Bamir Topi, në orën 3.24 të pasdrekes së sotme tregon numrin e pëlqimeve në nivelin 246 dhe që rritet vazhdimisht. Kjo faqe në facebook është krijuar të shtunën. Ajo nuk ka ende një profil të pasur në facebook dhe nuk rezulton të ketë faqe interneti të vetën.
Partia Fryma e Re Demokratike pritet të themelohet zyrtarisht sëshpejti dhe ka për grup nismëtar deputetin Gazmend Oketa.
Lajmet për krijimin e kësaj partie kanë rezultuar shumë tërheqëse për publikun shqiptar, gjë që vërehet edhe në numrin e lartë të leximeve të regjistruara nga programet e specializuara të monitorimit të trafikut në internet.
Vlerësohet se rreth 1.2 milionë shqiptarë kanë një llogari në Facebook. Ky rrjet i medias shoqërore është bërë një mjet i lakmueshëm për shumë parti politike, por faqja shqiptare më e pëlqyer duket se është ** Jam Single 100 % e cila ka marrë 201 mijë “like” që kur u hap dhjetorin e kaluar.
Nga partitë politike, faqja e Partisë Socialiste në facebook ka 29 mijë "like" që kur është hapur në vitin 2009 dhe Partia Demokratike vetëm disa qindra "like" më pak.
29 Prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.