Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

24 Maj 2013

Fule-Berishës:Zgjedhja e presidentit, proces i negociueshëm

2012-05-03

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, ka deklaruar se Shqipëria i ka potencialet për të përmbushur kriteret kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, Fule theksoi se ritmi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE varet nga puna që do të bëjë vendi ynë për të përmbushur të gjitha kriteret, megjithëse është shprehur optimistë se brenda këtij viti, Shqipëria do të kalojë në një etapë më të lartë në agjendën e integrimit.

“E kam thënë edhe më herët se nuk po shkoj në Shqipëri për të folur për çështjet dhe problemet e të shkuarës, por për të shprehur përgëzimin që politikanët po shënojnë arritje lidhur me pritshmërinë jo vetëm të Brukselit, por edhe të vet qytetarëve shqiptarë. Së dyti, dua të shoh se ku jemi sot, nëse e shohim progresin e deritanishëm dhe çështjet që mbeten të hapura njësoj. Dhe së treti, dua të konfirmoj atë që do quaja udhërrëfyesin, që shpresoj do ta çojë Shqipërinë brenda këtij viti në një etapë më të lartë të agjendës së zgjerimit”, u shpreh Fule.

Diplomati i huaj është ndaluar në çështjen e zgjedhjes së presidentit, që sipas tij duhet të jetë një proces i negociueshëm pasi kreu i shtetit duhet të pasqyrojë frymën e Kushtetutës. Fule ka deklaruar se mënyra se si palët do të bien dakort dhe do të zgjedhin kreun e ri të shtetit do të jetë një test për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

“Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces i negociueshëm. S`kam ardhur për dhënë këshilla, por për të parë përpara. Presidenti i ri duhet të pasqyrojë qartë frymën e Kushtetutës, por edhe ai që do të jetë dikush që siç thotë kushtetuta, të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar. Jam shprehur saktë dhe qartë për ato që duhen bërë që marrëveshja e nëntorit të përfundohet për planin e veprimit dhe rezultatet që duhet të dalin prej këtij plani veprimi. Këto janë parakushtet dhe zbatimi i ligjeve që janë miratuar në mënyrë që KE t`i rekomandojë shteteve anëtare dhënien e statusit kandidat. Jo vetëm KE, por edhe të tjerë do ndjekin atë që qeveria dhe opozita të kthehen në rrugën e tyre e ta kthejnë axhendën evropiane në axhendë kombëtare dhe do të jenë shtetet anëtare ato që kur të marrin rekomandimet do të marrin parasysh edhe një panoramë më të gjerë dhe në këtë është edhe zgjedhja e presidentit që do të jetë një faktor tepër i rëndësishëm”, ka thënë Fule.

Nga ana e tij kryeministri Berisha ka deklaruar se gjatë takimit e ka njohur komisionerin Fule me reformat e deritanishme, çështjen e imunitetit të zyrtarëve, si edhe zgjedhjen e presidentit të ri. “E njoha Fylen me progresin e bërë në të gjitha rrafshet: zgjedhjet, drejtësia. Duket se po shkojnë në një zë për heqjen e imuniteteve. Kemi qenë për mosprekjen e Kushtetutës, por tani pranojmë opsionet e opozitës për heqjen e imuniteteve. Diskutuam për problematikën dhe axhendën e ngjeshur të përmbushjes së 12 prioriteteve si edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Sigurova Fylen se e konsideroj këtë një proces, që domosdoshmërish do të kalojë me negociata, një proces që do respektojë plotësisht Kushtetutën. Ne do angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë ka, por procesi real fillon kur e thotë Kushtetuta”, tha Berisha, duke theksuar se do të ulet në bisedime me Ramën për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, vetëm në afatet kur Kushtetuta përcakton zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. “Nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri, jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do kandidoj për postin e presidentit të Republikës. Së dyti, unë çdo ftese i përgjigjem pozitivisht. Vlerësoj ftesën e Ramës, por Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues. Si unë dhe Rama për hir të respektit të postit të presidentit duhet ta respektojmë këtë. Jam gjithnjë për negociatat dhe siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë të vlefshme kur ata parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti të japin kontribut në përgatitjen e tyre”, ka thënë Berisha.

Më pas Komisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fule, ka takuar ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto. Fule ka vlerësuar qëndrimet e dikasterit të jashtëm të Shqipërisë ndaj frymës nacionaliste dhe ekstremiste në rajon, si dhe punën e deritanishme të bërë me shtetet anëtare të BE-së, të cilat do të marrin një vendim për përshpejtimin e procesit të integrimit.
3 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.