Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, ka deklaruar se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian, ndaj kërkohet një përpjekje kombëtare për të përmbushur të gjitha prioritetet e kërkuara.
“Përsëris mesazhin tim që unë e shoh të ardhmen e Shqipërisë si një anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Qeveria, opozita, institucionet e zbatimit të ligjit, gjyqësori, qytetarët dhe organizatat e shoqëria civile duhet të punojnë së bashku. Ju mund të arrini standarte në jetën politike, standarte këto që duhet të arrihen në një klimë paqeje pajtimi apo prosperiteti”, theksoi Fule, duke vlerësuar punën e deritanishme të bërë nga klasa politike shqiptare për arritjen e marrëveshjeve që kanë çuar në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, miratimin e disa ligjeve që kërkonin shumicë me 3/5, etj.
Në fjalën e tij përpara deputetëve, Fule ka përcjellë “detyrat e shtëpisë” që duhen bërë për të qenë pjesë e BE-së, si: përfundimi në kohë i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, zhvillimit të zgjedhjeve me standarde, reforma në gjyqësor, zgjedhja e një presidenti në frymën kushtetuese, konsensual e si përfaqësues i unitetit të popullit, kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë, etj.
“Zhvillimi i duhur i zgjedhjeve, mbetet përparësi për aspiratën e saj në BE. Të përfundohet puna e mirë që është bërë. Tregoni rezultate për Kodin duke u përqendruar në propozimet e OSBE/ODIHR dhe kjo duhet të vihet në jetë përpara zgjedhjeve 2013. Jam dëshmitar që parlamenti është bërë vendi ku kontribuohet në hartimin e ligjeve. Shpresoj të ruani këtë atmosferë për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale”, ka thënë Fule përpara deputetëve duke u ndalur më tej në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Themelore mbetet të hidhet dritë plotësisht për 21 janarin, përmes një procesi gjyqësor të lirë nga ndërhyrjet politike. Një element me rëndësi është kufizimi apo heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët. Ju i jeni afruar një konsensusi politik dhe ju nxis të shpejtoni më shumë”, ka thënë Fule.
3 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.