Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

19 Maj 2013

Spahiu: Kuvendi të thërrasë Berishën për takimin me Samaras

2012-02-29

Bledar Hoti (KERKO ...)

“PS dhe PD do të mbeten në minorancë nga deti i votave kuqezi”

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, kërkon që Kuvendi të thërrasë në një interpelancë të posaçme Kryeministrin Sali Berisha për t’u përgjigjur në lidhje me takimin e zhvilluar me liderin e “Nea Demokracia”, Antonis Samaras. “Është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të zbardhë përpara opinionit publik, përpara shqiptarëve detajet e takimit të kreut të ekzekutivit shqiptar me kreun e ‘Neo Demokracia’-s së Greqisë, Antonis Samaras. Të zbardhen procesverbalet e takimit të Kryeministrit. Cilat ishin temat e bisedës së Kryeministrit me Samaras? Çfarë pazaresh u zhvilluan në takim? Çfarë iu premtua Kryeministrit Berisha nga Samaras? Çfarë iu dha në këmbim? Cilat janë lidhjet serbo-boshnjake dhe cilat janë detajet e paktit? Është koha që shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen, ashtu si populli grek zboi klasën e vjetër politike, po kështu ka ardhur koha që shqiptarët të largojnë njëherë e përgjithmonë lidershipin e krokodilit, që ka marrë peng Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Spahiu. Ai është përgjigjur kohët e fundit dhe mbi sulmet e lëshuara edhe nga opozita në adresë të tij. “Kjo është një frikë nga deti i votave kuqezi, frikë nga deti i votave të Aleancës Kuq e Zi. E majta dhe e djathta do të mbeten në minorancë, në opozitë pikërisht nga ky det i votave kuqezi”, tha Spahiu. Kreu i AKZ-së bëri të ditur dhe axhendën e tij në të ardhmen jashtë Shqipërisë. “Është një axhendë e ngjeshur ku do të zhvillohen shumë takime në shumë kryeqytete të botës. Aleanca Kuq e Zi ka një axhendë takimesh informuese për vendosjen e marrëdhënieve me shumë qeveri europiane, për të cilën do të njiheni në ditët në vazhdim”, theksoi ai. Spahiu bëri të qartë se asgjë nuk mund të ndalë bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. “As komisionet hetimore dhe as arrestimet nuk do ta ndalin ortekun kuqezi, një ortek që ka bashkuar mbarë shqiptarët. Kjo është një çështje që Aleanca Kuq e Zi e ka në planin e saj të veprimit dhe për këtë nuk ka kthim mbrapa. Sigurisht që kjo çështje ka dhe vështirësitë e veta për shkak të pengesave që lindin dhe krijohen nga dy qeveritë e vendeve tona, pra të Shqipërisë dhe Kosovës. Janë dy qeveritë, Berisha dhe Thaçi, që në vend që të bashkojnë shqiptarët i ndajnë, pasi janë dy qeveritë më të korruptuara në rajon dhe Europë”, theksoi Spahiu.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.