Në mesin e javës së ardhshme pritet që Konferenca e Kryetarëve të caktojë në programin e punës së Kuvendit mbledhjen ku do të nisin procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Të enjten e ardhshme, më 27 prill, përfundon kalendari 1-mujor i punimeve të Parlamentit dhe Konferenca e Kryetarëve do të duhet të miratojë kalendarin e ri dhe programin dymujor. Por pikërisht në këtë mbledhje do të duhet të përcaktohet kalendari më i rëndësishëm i politikës shqiptare për vitin 2012. Neni 109 i rregullores së Kuvendit, përkatësisht pika 1 e saj, thekson se: “Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë. Sekretariati për procedurat dhe votimet është Komisioni i Votimit, i cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e votimit”.
Brenda datës 24 maj të këtij viti, Kuvendi duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Konferenca e Kryetarëve do të jetë organi i lartë kuvendor, në të cilën do të përcaktohen datat e raundeve të votimit për presidentin e ri të vendit. Kreu aktual i shtetit, Bamir Topi, u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë më datën 20 korrik 2007. Pas katër ditësh, më 24 korrik të 2007-s, Topi bëri betimin para Parlamentit. Kjo nënkupton që e gjithë procedura duhet të përfundojë para kësaj date. Sipas nenit 87 të Kushtetutës, në pikën 1 dhe 2 përcaktohet se “Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës”. Mbi bazën e saj përcaktohet se mandati i Topit mbaron më 24 korrik të vitit 2012. Pika 2 e nenit 88 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, i ndryshuar me konsensusin PD-PS parashikon procedurën e zgjedhjes së presidentit. “Procedura për zgjedhjen e presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës”, thuhet në këtë pikë. Mbi bazën e kësaj përllogaritjeje, më 24 maj do të nisin procedurat, çka nënkupton që Konferenca e Kryetarëve të vendosë për data se kur do të realizohen pesë raundet e votimit. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi në daljen e fundit publike me median, se në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve të parashikuar në janar do të përcaktohen raundet për votimin e presidentit. Neni 109 i rregullores së Kuvendit parashikon: “1. Presidenti i Republikës zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat. Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë. Sekretariati për procedurat dhe votimet është Komisioni i Votimit, i cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e votimit. 2. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrton nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqet raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve”. Në nenin 3 është përcaktuar se “Presidenti i Republikës zgjidhet me një shumicë prej jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në votimin e parë, votimin e dytë ose votimin e tretë. Në votimin e katërt dhe në votimin e pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.