Draftet për “Statusin e të verbrit” dhe “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik” rrudhin mazhorancën. Deputeti demokrat Gazmend Oketa ka votuar kundër, ndërsa deputetët e LSI-së abstenuan me votën e tyre. Protestat e fuqishme të përfaqësuesve të këtyre shtresave para Parlamentit dhe thirrjet e tyre për mosvotimin e ligjit kanë ndikuar në qëndrimet e deputetëve të mazhorancës. Dy projektligjet janë votuar me 66 vota pro, 62 kundër dhe 3 abstenime. Në këtë proces votimi është vënë re se vota e deputetit të djathtë, Gazmend Oketa dhe e socialistit Kastriot Islami, i shkëputur nga PS, kanë qenë kundër nismës së qeverisë. Ndërsa tre deputetët e LSI-së, Lefter Koka, Vangjel Tavo dhe ministri i Ekonomisë, Nasip Naço kanë abstenuar në votën e tyre. Abstenim ndaj këtyre ligjeve ka pasur edhe nga deputeti socialist, Kastriot Islami. Në seancë mësohet se kanë munguar deputetët e mazhorancës Eduard Halimi, Viktor Gumi, Kosta Barka të PD-së, si dhe Ilir Meta i LSI-së dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së. Në sallë kanë qenë të pranishëm 131 deputetë fillimisht. Nga kampi opozitar kanë munguar Andis Harasani, Sadri Abazi, Dritan Prifti dhe Arben Isaraj (për arsye shëndetësore). Minimumi që një mazhorancë të funksionojë duhet të jenë 71 deputetë. Mazhoranca edhe pse me 75 vota, është rrudhur ndjeshëm në 66 vota pro.
Seanca e djeshme ka nisur si rrallëherë me një protestë të fuqishme nga përfaqësuesit e shtresës së të verbërve dhe të tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve. Dhjetëra e qindra persona janë mbledhur para godinës së Kuvendit, duke bërë thirrje që deputetët të mos ta votonin këtë nismë. Në mbështetje të tyre fillimisht ishin deputetët Erjon Braçe, Gramoz Ruçi, Eltar Deda dhe Eglantina Gjermeni. Më pas, në fillim të seancës Ruçi deklaroi se “aktualisht zhvillohet një demonstrim i të verbërve para Kuvendit. Ata kanë depozituar kërkesë që një përfaqësi e tyre të asistojnë në punimet e Kuvendit. Kërkoj që kjo kërkesë e tyre të merret parasysh, duke parë edhe pamundësitë e tyre fizike për të qëndruar në pritje”. Kjo kërkesë është pranuar ku në lozhën e seancës janë ngjitur një përfaqësi, ku kanë ndjekur të gjithë debatet për këto dy nisma. Këto dy projektligje kanë shkaktuar më shumë se dy orë debat mes deputetëve në seancën plenare. Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj e ka cilësuar nismën si antikushtetuese. “Nëse keni vullnet, zgjidhja është e thjeshtë, çlirojeni skemën nga korrupsioni, pastroni listat nga përfitimet abuzive për militantët, lidhjeve nepotike që paguajnë ryshfet në kurriz të njerëzve me aftësi të kufizuar. Abuzimi është i lartë. Është krim të paguash në kurriz të atyre njerëzve dhe krimi ndëshkohet. Në këto ndryshime që na vijnë sot nuk po ndëshkohen abuzuesit, por po ndëshkohen paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit. Vota jonë është kundër. I bëj thirrje Presidentit se, nëse votohet kjo nismë, ai të mos e dekretojë, por ta kthejë atë”, tha deputetja socialiste Valentina Leskaj. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, në fjalën e tij tha se kjo skemë ul abuzivizmin, pasi ka pasur një shumë prej 25 milionë lekësh faturë vetëm për CEZ. Dhe sipas tij, këto para që jepen për këto kompani, do t’i kalojnë në një llogari më vete. “Ju nuk e keni hallin te këto shtresa, por e keni hallin tek ato 140 mijë vota që keni mangët në zgjedhje. Ju digjet barku ju për ish të përndjekurit, apo për ish-pronarët. Një pjesë e shtresës janë dëmtuar pikërisht në sistemin tuaj, e ne po i paguajmë. Nuk janë pak, por 150 mijë i paguajmë”, tha Bode. Socialisti Braçe u shpreh se kjo nuk është një skemë e mirë, por qeveria nuk duhet ta heqë me ligj, atë që e ka fituar më parë, por të ndëshkojë abuzuesit.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.