Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

18 Maj 2013

Vëzhgues nga PE, në seancën e zgjedhjes së presidentit

2012-05-02

Ylli Pata (KERKO ...)

Opozita pritet të formulojë kërkesën në takimin me Fulen

Seancat parlamentare të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës pritet të jenë të supermonitoruara nga ndërkombëtarët. Por jo vetëm nga selitë diplomatike të Perëndimit në Tiranë, por përkatësisht nga institucione zyrtare të Bashkimit Europian, ndoshta edhe të Këshillit të Europës. Opozita shqiptare pritet t’i kërkojë nesër komisionerit të Zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, që Brukseli të jetë dëshmitar i procedurave parlamentare të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Qëndrimi zyrtar pritet të jepet nga vetë Fule, pas takimeve që do të zhvillojë me Ramën dhe Berishën, më 3 maj në Tiranë, por një nga vartësit e tij në Bruksel, përkatësisht drejtori i Zgjerimit, Stefano Sannino, deklaroi para pak kohësh në Tiranë se Bashkimi Europian do të monitorojë procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Çështja aktualisht po diskutohet te modalitetet e një vëzhgimi, pasi Bashkimi Europian disa herë e ka përsëritur se është Shqipëria që duhet të marrë vetë vendimet, ndërkohë që Brukseli do të shikojë standardet. Një mundësi e një monitorimi do të ishte ardhja në Shqipëri e një delegacioni nga Parlamenti Europian, i cili do të qëndrojë në llozhën e Parlamentit, në ditët e nxehta të pas 24 korrikut të këtij viti. Siç mësohet nga burime nga selia rozë, eurodeputetë të grupit socialist kanë shprehur gatishmërinë e angazhimit të një misioni të tillë, por kanë këshilluar që më e mira do të ishte nëse do të vinte një mision i përbashkët i grupit të PPE-së dhe grupit të socialistëve dhe demokratëve. Por që të ndodhë kjo, do të duhet një kërkesë zyrtare e opozitës shqiptare drejtuar kryetarit të Parlamentit Europian, i cili “rastësisht” është ish-kreu i grupit socialist, Martin Schultz. Por gjithçka pritet të artikulohet dhe të vendoset nesër pas takimit me komisionerin europian të Zgjerimit Stefan, Fule, i cili, në intervistën e tij për “Top Channel”, deklaroi se “nuk kemi për qëllim që të imponojmë këtë apo atë rrugëdalje. Gjithsesi, ajo që do të nënvizoj në Tiranë është që roli i presidentit është i rëndësishëm, madje edhe me sistemin shqiptar. Ai duhet të jetë president i gjithë shqiptarëve. Ai është garanti, jo vetëm i kushtetutshmërisë, por reflekton gjithashtu këndvështrimet, apo shqetësimet jo vetëm të elektoratit të një partie, por të gjithë shqiptarëve”. Ndërkaq, ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës në BE, deklaroi në një intervistë për “Shqip”, se “është në dorë të shqiptarëve të zgjedhin presidentin e tyre. Megjithatë, po kaq i vërtetë është edhe fakti që zgjedhjet shoqërohen me pasoja, që mund të jenë të mira ose të këqija. Institucionet e pavarura, si Presidenca, janë gurët e themelit të një shoqërie demokratike. Pa to, demokracia nuk ekziston, prandaj, zgjedhja e presidentit do të ketë ndikim të thellë, edhe në aftësinë e Shqipërisë për të përparuar drejt BE-së, përsëri për mirë ose për keq”.

PS

Sot, Partia Socialiste pritet të artikulojë platformën e presidentit në dy forumet më të rëndësishme të saj. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka thirrur paradite mbledhjen e grupit parlamentar e më pas Kryesinë e Partisë Socialiste ku do të diskutohet për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Në këtë mbledhje pritet të flitet mbi takimet që do të zhvillojë Rama me Berishën, Metën, Idrizin, Dulen, Oketën dhe Mediun, si dhe qëndrimin që do të mbahet për kandidatët që do të dalin rrugës. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se ka gjasa që në javët në vazhdim, PS në bashkëpunim dhe me aleatët të hartojë një listë emrash konsensualë, që do të duhet të diskutohen me krerët e partive parlamentare.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.