Numërimi elektronik pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit një shumë prej 7 milionë eurosh. Kjo shifër u bë e ditur dje nga eksperti i komunikimeve dixhitale, Pjerin Marku, në një intervistë për “AS”, i cili theksoi se kjo në thelb nuk është një shifër e lartë po të krahasohet me koston që merrej nga buxheti për numërimin e votave. Por, sipas tij, numërimi përmes elektronikës do të japë më shumë besim te qytetarët shqiptarë dhe nga ana tjetër, do të arrijë të zhvillohet në një kohë shumë më të shkurtër. Sipas tij, blerja ose marrja me qira e skanerëve optikë, do të shmangë kontestimet, por edhe do të nxjerrë në kohë reale rezultatin e zgjedhjeve. Eksperti i komunikimeve dixhitale, Pjerin Marku, theksoi se nisma e qeverisë për të vendosur internet edhe në fshatin më të thellë do të ndihmojë procesin e numërimit në zgjedhjet e ardhshme, duke qenë se ky proces bazohet mbi internetit. “Janë 2000 shkolla në rang vendi, të cilat do të përdoren si qendra votimi dhe lidhja e tyre me internet do të bëjë të mundur transferimin e të dhënave drejt serverit qendror, i cili do të instalohet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, deklaroi Marku. Pavarësisht këtyre parashikimeve, Komisioni i Reformës Zgjedhore do të përcaktojë modalitetet sesi do të përzgjidhet në mënyrë përfundimtare firma, e cila siguron numërimin elektronik të votave të shqiptarëve.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.