Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga deputeti i kësaj partie, Dashamir Tahiri, do të zhvillojë sot një takim me ish-kryeministrin e vendit, Fatos Nano, i cili kërkon të jetë një kandidat në garën presidenciale. Burimet nga PDIU bëjnë të ditur se ky takim do të fokusohet te çështja e zgjedhjes së kreut të ardhshëm të shtetit dhe tek ambicia e Nanos për t’u pranuar nga palët si një kandidaturë konsensuale. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i palëve pas këtij takimi, por ajo që dihet, lidhet me faktin se Fatos Nano po lobon në mënyrë të fuqishme pranë të gjitha forcave politike për kandidaturën e tij. Fillimisht Nano zhvilloi një takim me kreun e LSI-së, Ilir Meta, i pasuar ky nga takimi me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Një tjetër takim i ish- kryeministrit socialit ishte dhe ai me kreun e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Brenda një periudhe dymujore, Nano ka zhvilluar dhe dy takime me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, duke marrë prej tij mbështetje të madhe. Së shpejti, Nano pritet të takojë dhe kreun e qeverisë, Sali Berisha, si dhe kryetarin e republikanëve, Fatmir Mediu. Në këto takime, Nano ka paraqitur platformën e tij si kandidat për president.
F.M
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.