Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

25 Maj 2013

Çipa: Raportimi para Fazliç, një skandal

2008-10-11

"Presidenti duhet të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare"

Takimi i disa ministrave dhe krerëve të institucioneve të sigurisë kanë informuar për hollësitë e shtetit përpara biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazliç, i cili shoqëronte politikanin amerikan, Tom Rixh, pa u emëruar ende këshilltar i Berishës, ka shtuar dyshimet në radhët e politikës. Deputetë, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, theksojnë se Fazliç nuk është ndodhur në Shqipëri vetëm për biznes. Deputetë të opozitës e vlerësojnë si një skandal të madh raportimin e sekreteve shtetërore para një delegacioni të huaj, kur nuk dihej saktësisht se kush ishte në përbërje të tij. Këtë skandal e kanë komentuar deputetë të cilët janë pjesë e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, si Stefan Çipa dhe Pirro Lutaj, ndërkohë që kontakti me deputetët e mazhorancës ishte i pamundur. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë dashur të bëhen pjesë e diskutimit, ndërsa vetë kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, është larguar duke mos pranuar të japë asnjë koment. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Stefan Çipa, e cilëson skandal, duke kërkuar ndërhyrjen e Presidentit dhe të organeve të drejtësisë për të zbardhur të gjithë ngjarjen.

Z. Çipa, në një intervistë për "Shqip", një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, tregon se disa nga ministrat shqiptarë dhe drejtorë të rangut të lartë kanë informuar para një delegacioni ku merrte pjesë edhe biznesmeni boshnjak, Damir Fazliç. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë veprim të ministrave të qeverisë shqiptare?

Ky është një skandal për të cilin duhet të merren masa. Kjo, sepse të gjithë ata që ishin pjesë e delegacionit, ministra e drejtorë të institucioneve të larta, janë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe ata nuk mund të japin informacion para një delegacioni, pa e ditur saktësisht përbërjen e tij. Pasi tashmë, është vërtetuar se Tom Rixh nuk ka qenë emëruar ende zyrtarisht këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare. Me ligj është e ndaluar që asnjë nga ministrat apo anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilët disponojnë informacion të klasifikuar apo të rëndësishëm për vendin, nuk mund t\‘ua japin atë çdo delegacioni që iu troket në derë. Sipas z. Bakiu, delegacioni ka qenë amerikan, të paktën kështu u është thënë atyre, ndërkohë që përbërja e tij rezulton të ketë qenë mikse. Në krye të delegacionit ishte Tom Rixh, ndërkohë që pjesë e tij ishte edhe Damir Fazlliç. Por shkelja është se delegacioni i lartë amerikan nuk shoqërohej nga asnjë përfaqësues i ambasadës amerikane në vendin tonë. Kjo tregon se ai nuk ishte zyrtar dhe kur delegacioni nuk është zyrtar, si mund të japësh informacion në lidhje me elementët e sigurisë së kufirit, të hapësirës sonë aeroportuale, të krimit të organizuar, të trafiqeve. Sepse, po të shikosh gamën e ministrave dhe të drejtorëve që kanë qenë pjesë e delegacionit, janë të gjithë pjesëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që thërret Presidenti, përjashto pjesën e opozitës. Pra kjo është pjesa e shtetit që ka siguria kombëtare.

Po praninë e Fazliç në këtë delegacion, si e komentoni?

Kjo tregon më së miri se Fazliç është negociator, sepse ai duket se nuk ka qenë thjesht një biznesmen që donte të bënte biznes në Shqipëri. Por, duke mbajtur si mburojë biznesin, ai ka bërë këto tratativa me politikën shqiptare, që e gjithë politika shqiptare, të gjithë elementët e sigurisë, t\‘i vihen në dispozicion veprimtarisë së paligjshme të biznesit të tij. Këtu del që edhe për Tom Rixhin, edhe për firma të tjera të rëndësishme, qofshin dhe amerikane, Fazliç ka negociuar me qeverinë shqiptare.

Ju keni qenë ministër i Brendshëm. A mund të na thoni se cila është praktika që ndiqet në raste të tilla kur vjen një delegacion i rangut të lartë, çfarë informacioni jepet dhe deri në ç\‘masë jepet?

Po, ka një praktikë që merret për organizimin e delegacioneve të rëndësishme, them të rëndësishme pa thonjëza, sepse ky delegacion ishte "i rëndësishëm" për qeverinë, pasi brenda tij nuk kishte vetëm amerikanë, por na del një delegacion miks rajonal. Në radhë të parë, kishte një parapërgatitje sesi do të shkohej në atë delegacion dhe duhet të dije rëndësinë dhe sasinë e informacionit që do të jepje dhe kjo varej nga partneriteti i delegacionit që kishe përballë. Por delegacioni që vinte, detyrimisht shoqërohej nga një përfaqësues i ambasadës përkatëse dhe nga misione të ndryshme të atij vendi që janë të atashuar në vendin tonë. Por para se të takoheshe me delegacionin e lartë, bëhej një konsultë paraprake, sepse nuk mund të shkosh në një takim me ministra, drejtorë dhe përfaqësues të rangjeve të tjera pa e ditur se kujt do t\‘i raportohej.

Cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë opozita pas këtij veprimi që tashmë quhet skandal?

Unë, me cilësinë edhe të nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, së bashku me Arta Daden, si nënkryetare e Komisionit të Jashtëm, kemi kontaktuar me përfaqësues të Presidencës. Sepse Presidenti i Republikës, për mendimin tim, duhet të thërrasë Këshillin e Sigurimit Kombëtar, jo vetëm për këtë skandal, por edhe për atë veprimin që ka ndodhur para tri ditësh. Pasi vjen një njeri i akuzuar për trafik të gjithanshëm, vjen dhe ikën i shoqëruar nga punonjës të policisë, pavarësisht se ministri i Brendshëm thotë se nuk është shoqëruar nga policia, të gjithë e dinë mirë se kush është shefi i Komisariatit të Rinasit, që ishte ish-truproja e ish-ministrit të Drejtësisë. Kjo përplasje e institucioneve midis policisë dhe prokurorisë, për mua është skandaloze dhe detyrimisht cenon rëndë integritetin dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë.

Lutaj: Dikush duhet të japë shpjegime për këtë ngjarje të rëndë




Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, komenton praninë e Fazliç në delegacionin amerikan, ku ministra të qeverisë shqiptare, informojnë mbi sigurinë në vend. Sipas tij, kjo është një ngjarje e rëndë, ku dikush duhet të japë shpjegime dhe të mbajë përgjegjësi. Ai thekson se opozita do të kërkojë mbledhjen e menjëhershme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë për të kërkuar shpjegime konkrete nga zyrtarë të lartë të shtetit.

Z.Lutaj, cili është komenti juaj mbi raportimin e ministrave të kabinetit qeverisës për sigurinë kombëtare, para një delegacioni ku bën pjesë edhe Fazliç?

Ajo që po dëgjojnë dhe po shikojnë shqiptarët këto ditë ka të bëjë me qeverisjen e korruptuar nën drejtimin e Sali Berishës, dhe fytyrat që sot (dje) janë botuar në gazetë, janë njerëz që kanë pritur dhe përcjellë një njeri me precedent më shumë sesa brenda Shqipërisë, dhe kjo ka të bëjë me mungesën e seriozitetit të shtetit dhe me rënien e institucioneve të sigurisë së vendit. Ajo që po shikojmë ne, është se fytyrat e qeshura dhe vrastare, megjithëse kanë shkaktuar tragjedi të rëndë te njerëzit në Shqipëri, vazhdojnë të zbresin akoma, duke buzëqeshur nga shkallët e zyrës së Kryeministrit, ose nga shkallët e Prokurorisë së Përgjithshme. Por nga ajo që mësuam për këtë takim dhe që vlen për t\‘u theksuar, është raportimi i ministrave të qeverisë te persona të paautorizuar, madje pa ditur se çfarë funksioni do të kishin më vonë. Por kjo ka të bëjë me veprime të paramenduara të Kryeministrit, për të hapur terren dhe për ta kthyer Shqipërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar në çiflig të vetin.

Çfarë mendoni për sigurinë e institucioneve në vend?

Natyrisht që ne jemi të shqetësuar për gjendjen e institucioneve të sigurisë në vend. Këto gjëra i kemi shprehur si me qëndrimet në Parlament, por edhe nëpërmjet strukturave drejtuese të PS-së dhe ne shpresojmë që autoritetet kompetente duhet të shpejtojnë reagimet e tyre konform kompetencave që kanë. Dhe ata njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit dhe kanë vendosur institucionet e shtetit shqiptar në dispozicion të elementëve të dyshimtë, kontrabandistë banditë dhe kushdo qoftë, duhet të vihen para drejtësisë. Ne jemi të shqetësuar gjithashtu për skenat e turpshme që pamë me shoqërimin e autoriteteve kryesore të policisë së Rinasit, ata shoqërojnë një njeri me precedent penal, i cili erdhi, kreu misionin e tij në një televizion dhe iku i shoqëruar nga forcat e policisë, duke mos u vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë për të dhënë shpjegimet për atë çfarë kërkohej.

Ju si opozitë, a do ta ngrini këtë shqetësim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare?

Në emër të grupit të PS-së, në seancën e ditës së enjte, i është kërkuar nga kryetari dhe nënkryetari grupit, Presidentit të Republikës, të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë për të bërë analizën e kësaj situate shqetësuese për institucionet e sigurisë. Ne, si anëtarë të Komisionit të Sigurisë, do të kërkojmë mbledhjen urgjente të komisionit për ta paraqitur këtë shqetësim të madh dhe të kërkojmë shpjegime nga institucione të cilat janë bërë zëdhënës të personave të dyshimtë dhe të paautorizuar për të vënë institucionet e sigurisë në dispozicion të tyre.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.