Acarimi i situatës në veri të Kosovës ka bërë që të konkretizohet vendimi për shtimin e trupave të KFOR-it. 700 trupa shtesë të batalionit rezervë të KFOR-it do të zbarkojnë deri të premten në Kosovë, bëri të ditur komandanti i KFOR-it Erhard Drews. Gjatë një vizite në Podujevë, Drevs nuk ka saktësuar se ku do të sistemohet ky kontingjent. KFOR-i do të përforcohet edhe me 700 trupa të batalionit rezervë, të cilët duhet të vijnë në Kosovë deri të premten. Komandanti Erhard Drews nuk e saktëson qëllimin e ardhjes së këtyre trupave dhe se ku do të sistemohen ata, raporton RTK-ja. Ndërsa duke komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, se misioni i Bashkimit Europian në Kosovë nuk ka “burime të mjaftueshme” dhe se aleancës ushtarake i është dashur të marrë barrën, Drews vetëm tha se ka bashkëpunim të mirë me EULEX-in. Në kontingjentin prej 700 trupash janë ushtarë gjermanë dhe austriakë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.