Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje nga Selaniku, ku ishte për një takim me shqiptarët, se partia që ai drejtonte ende nuk e kishte vendosur se me cilën nga dy partitë kryesore do të bënte aleancë pas vitit 2013. I pyetur nga “Top Channel” për sa i përket bashkëpunimit të LSI-së me PD-në, Ilir Meta ka pohuar se do të vazhdojë edhe për zgjedhjet e 2013-s, por më pas ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet. “LSI-ja ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike. Ne i jemi përmbajtur dhe do i përmbahemi me shumë seriozitet implementimit të marrëveshjes 4-vjeçare të nënshkruar me PD-në pas zgjedhjeve të vitit 2009”, theksoi Meta. Kreu i LSI-së u prit dje në Selanik nga qindra emigrantë shqiptarë që ishin mbledhur në një prej ambienteve të një hoteli të qytetit të Selanikut, në kuadrin e krijimit të degës së LSI-së në këtë qytet. Të pranishëm kanë qenë edhe autoritete lokale, midis tyre edhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Janis Butaris, i cili në fjalën e tij të përshëndetjes ka theksuar edhe njëherë lidhjet e tij të veçanta me Shqipërinë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.