Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Maj 2013

Prifti mbrohet në gjykatë me precedentët “Meta” dhe “Mediu”

2012-04-24

Sokol Çobo (KERKO ...)

Gjyqi

Procesi Prifti-Beqiraj shtyhet më 7 maj. Kërkesat paraprake të të pandehurve

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e ka cilësuar akuzën e korrupsionit, të ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme, si të jashtëligjshme. Në seancën e parë në Gjykatën e Lartë, avokati Fatmir Braka, që mbron interesat e deputetit të Qarkut të Fierit, ka kërkuar pavlefshmëri absolutë të të gjithë çështjes, që nga regjistrimi i procedimit në Prokurorinë e Tiranës e deri te dërgimi i saj në Gjykatën Supreme. Avokati lexoi para Kolegjit Penal një sërë arsyesh përse çështja duhet të pushohet, ku përmendi edhe pafajësinë e Ilir Metës dhe pushimin e akuzave ndaj ministrit Fatmir Mediu. Ndërkohë, të njëjtën kërkesë, atë të pushimit të gjykimit, kërkoi Vladimie Meçi, avokati i Leonard Beqirit.

Seanca e djeshme filloi në orën 11:00, ku trupa gjykuese e kryesuar nga Mirela Fana dhe anëtarë të kolegjit Gani Dizdari, Fatos Lulo, Aleksandër Muskaj dhe Arjana Fullani, verifikuan prezencën e palëve. Në seancë nuk ishin dy të pandehurit, ndërsa prokuroria përfaqësohej nga prokurori Bujar Sheshi, i cili, pas prezantimit, tha se nuk ka asnjë kërkesë paraprake. Më pas fjalën e mori avokati Fatmir Braka, i cili lexoi me radhë shtatë kërkesat e tij, që kishin të bënin të gjitha me pavlefshmërinë e të gjithë procesit hetimor dhe gjyqësor. Avokati tha se kërkon rrëzimin e provave të mbledhura në harkun kohor 12-24 shkurt 2011, më konkretisht regjistrimin e procedimit penal në Prokurorinë e Tiranës, marrjen e provave materiale (kompjuter dhe USB). Kërkoi rrëzimin e sekuestros për orën-kamerë dhe vendimin për caktimin e ekspertit amerikan, Glen Bard. “Është lehtësisht e konstatueshme se që nga data 12.01.2011, datë në të cilën është bërë regjistrimi i procedimit penal nr. 136 nga Prokuroria e Tiranës dhe në vijim deri në datën 17.02.2012, kur Kuvendi ka autorizuar fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të deputetit Ilir Meta, Prokuroria e Tiranës dhe në vijim Prokuroria e Përgjithshme, kanë kryer veprime hetimore në tejkalim të kompetencave të tyre ligjore, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën”, tha avokati Fatmir Braka, duke shtuar se të gjitha veprimet duhet të konsiderohen nul. “Edhe pse nuk ka pasur autorizim nga Kuvendi, kanë vijuar hetimet në tejkalim të të drejtës për ushtrimin e ndjekjes penale, pasi kanë pasur si subjekt procedimi persona me imunitet parlamentar, dhe që i bën veprimet procedurale dhe pasojat e tyre nul”, vijoi avokati. Duke iu referuar procesit të mëparshëm ndaj Metës, avokati tha se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka marrë një vendim të ndërmjetëm për kërkesat paraprake të bëra nga mbrojtja e ish-zv.kryeministrit, duke vendosur: Pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmërinë relative dhe papërdorshmërinë e akteve procedurale dhe akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan, Glenn Bard, dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar Adrian Philips. Arsyetimi ishte përfitimi në shkelje të dispozitave përkatëse procedurale penale. “Ky Kolegj Penal nuk gjen në fashikullin e gjykimit asnjë akt ekspertimi që të përmbajë konkluzione shkencore lidhur me natyrën, autenticitetin, mënyrën e përdorimit dhe të dhënat që përmbajnë apo mund të përmbajnë provat...”, shtoi avokati. Përfaqësuesi ligjor i Priftit përmendi edhe rastin e pushimit të ndjekjes penale ndaj Fatmir Mediut. Sipas tij, “të njëjtin qëndrim ka mbajtur Kolegji Penal në vitin 2009, ku çmoi se mungesa e një autorizimi për procedim të Kuvendit të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet, është një prej rrethanave ligjore të parashikuara nga neni 290/1-e i K.Pr.Penale, në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu nuk mund të vazhdojë”. Ndërkohë, pas leximit të kërkesave paraprake të avokatit të Beqirajt, seanca e radhës u shty në datën 7 maj.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.