Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

22 Maj 2013

Berisha: Me Klintonin folëm për korrupsionin

2012-04-28

Kryeministri flet për VOA: Jemi gati të ndryshojmë sistemin zgjedhor

Kryeministri Sali Berisha zbuloi dje në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” se sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, gjatë takimit me të ishte interesuar në lidhje me korrupsionin në Shqipëri, imunitetin e deputetëve dhe çështje që kishin të bënin me sistemin e drejtësisë. Sipas Berishës, qeveria shqiptare po punonte me intensitet për sa i përket rritjes së reformave që do të sillnin më shumë efekt në luftën kundër korrupsionit, nisur dhe nga fakti se reduktimi i këtij fenomeni ishte një kërkesë dhe e BE-së. Po kështu, ai theksoi se sekretarja amerikane ishte treguar e gatshme për ta ndihmuar Shqipërinë që të rriste masat kundër këtij fenomeni. “Pasi u diskutua për korrupsionin, e informova sekretaren amerikane për çfarë është arritur. Ajo u shpreh shumë e gatshme që të ndërmarrim hapa të tjerë të rëndësishëm. Po kështu, për reformën në drejtësi, sekretarja e Shtetit, dua ta theksoj, kërkoi heqjen e imuniteteve, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë, nuk është interesi më i mirë i politikanëve shqiptarë, por është i qytetarëve shqiptarë”, rrëfeu Berisha, dje për “Zërin e Amerikës”, në lidhje me diskutimet që kishte zhvilluar me Klinton. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se ndonëse në vend kishte korrupsion, qeveria kishte vullnet të hekurt për ta luftuar atë.

“Unë mund t’ju jap si shembull dy reformat e fundit që bëmë ne në këtë drejtim; sot në kuadrin e nismës që mori Presidenti Obama një vit më parë për partneritetin për qeveri të hapur, ne jemi nga të paktat qeveri që publikojmë ditën e nesërme “on line” të gjitha shpenzimet e thesarit të shtetit, dy javë më parë ne u bëmë vendi i parë me “e-koncesione”, tregoi Berisha për VOA-n. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se SHBA kërkonte një integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se qeveria po bënte çdo përpjekje për ta rritur këtë objektiv. Berisha foli gjithashtu dhe për çështjen e Presidentit, duke theksuar faktin se ndonëse kjo nuk ishte biseduar me Klinton, ai ishte i hapur për negociata. “Në tërësi unë i kam formular qëndrimet e mia. Ajo që unë jam i hapur, jam për konsultime dhe mbetem i vendosur për zbatimin e Kushtetutës. Pse... Po të kthehemi bashkë me zotin Rama në vitin 2008 ne ndryshuam Kushtetutën për të shmangur një krizë në zgjedhjen e Presidentit dhe vepruam shumë drejt”, deklaroi Berisha, duke mos dashur që të jap më shumë detaje në lidhje me këtë proces. Për sa i përket sistemit zgjedhor, Berisha theksoi se ai ishte i hapur për ndryshimin e formulës së sistemit, por nuk hiqte dorë nga sistemi rajon, që sipas tij, i përshtatet shumë situatës në vend. “Lidhur me formulën, ajo është çështje e matematikanëve dhe le të merren me të, unë nuk kam ndonjë kundërshtim, por unë nuk besoj të ketë kërkuar kush ndryshimin e sistemit rajonal. Sistemi rajonal është një sistem shumë i mirë për mendimin tim, shumë më i mirë se i pari”, theksoi Berisha.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.