Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese shpërfill amendamentet e ministrit të qeverisë, republikanit Fatmir Mediu për dy draftet e titujve të pronësisë për tokat bujqësore. Asnjë prej dhjetë amendamenteve të paraqitura nga aleati tradicional i PD-së, republikani Mediu nuk ishte objekt i shqyrtimit të mbledhjes së djeshme në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Deputeti i PD-së, demokrati Jemin Gjana, bëri të qartë se këto amendamente mund t’i kalohen Komisionit përgjegjës të Ligjeve për t’i shqyrtuar. Por kryekomisioneri i rrëzoi apriori tetë amendamentet e Mediut për draftin “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”. Ndërsa për dy amendamentet e tjera për nismën e qeverisë “Për vlefshmërinë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, Gjana theksoi se ato janë të përfshira në draftin aktual. Përplasja me PD-së dhe PR-së për çështjen e pronave pritet të jetë beteja e ardhshme në Kuvend, ku opozita shpreson që për këto dy drafte të ketë edhe reagime nga aleatët e tjerë të PD-së.
Në mbledhjen e komisionit nga opozita ka qenë i pranishëm vetëm deputeti i PS-së, Blendi Klosi, i cili ka mbajtur qëndrimin kundër dy nismave të qeverisë. “Në këtë projektligj nuk përcaktohen se cilat janë shkaqet që sollën nevojën e një ndryshimi të këtij ligji 17 vjet pas daljes së tij. Nëse ka një relacion për përcaktimin e këtyre problematikave në ndarjen e tokës sipas këtij procesi. Sa subjekte përfitojnë nga ndryshimet e këtij ligji? Në këtë projektligj nuk u jepen zgjidhje të gjitha çështjeve që përfshihen në këtë kategori si zonat më problematike, mjafton të përmendim Zonën e Ujit të Ftohtë, NB-ja e Korçës”, tha Klosi. Më tej ai shtoi se “mendoj se ne nuk jemi kundër këtij procesi, por ligji në vetvete ka nevojë për ripunim ose daljen e një ligji të ri, i cili do të rregullonte të gjitha konfliktet dhe problematikat e dala gjatë këtij procesi. Në këto kushte ndryshimet e sjella me këtë projektligj janë demagogji për qëllime elektorale dhe nuk zgjidhin pothuajse asnjë nga problemet e mëdha në lidhje me pronësinë mbi tokën bujqësore”. Por Gjana i ka cilësuar këto qëndrime të PS-së, si “ajo historia me këmbët”. Klosi i është kundërpërgjigjur se “këtë historinë me këmbët nuk e di, por shpresoj zoti kryetar të mos ta kesh mësuar në Parlament”.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.