
“FRD do të jetë një parti kombëtare, e hapur për të gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë”, ishte fjalia që përdori dje Gazmend Oketa për të bërë dhe përcaktimin e madh për elektoratin që do të kishte kjo parti, për ta ndarë më pas në copëza më të vogla. Në një deklaratë prezantuese përpara themeluesve të kësaj force, Oketa dje përcaktoi shtresën e mesme shqiptare si target kryesor të FRD-së, e cila, sipas deputetit, nuk ka gjetur përfaqësimin e duhur te dy partitë e mëdha shqiptare të pas tranzicionit. “Partia Fryma e Re Demokratike merr përsipër të përfaqësojë kryesisht interesat e shtresës së mesme të shoqërisë shqiptare. Kjo shtresë, e krijuar me punë dhe me mundim gjatë këtyre njëzet vjetëve të tranzicionit demokratik, përbën shtyllën e stabilitetit ekonomik dhe moral të shoqërisë shqiptare, por ajo nuk është denjësisht e përfaqësuar politikisht. Dy partitë që kanë alternuar pushtetin gjatë këtyre dy dekadave në Shqipëri, ajo Demokratike dhe ajo Socialiste, janë themeluar para krijimit të kësaj shtrese shoqërore”, shpjegoi Oketa, duke argumentuar se pse FRD kishte zgjedhur përfaqësimin e kësaj shtrese. Duke theksuar që në krye faktin se FRD ishte një forcë politike e qendrës së djathtë, pronarët dhe ish të përndjekurit do të ishin në fokusin kryesor të saj. “Fryma e Re Demokratike nuk pajtohet me vonesën në zgjidhjen përfundimtare të dramës së pronësisë, ashtu si edhe zvarritjen e procesit të integrimit shoqëror të ish të përndjekurve politikë të periudhës së komunizmit, përfshirë këtu edhe dëmshpërblimin e tyre material”, premtoi Oketa, duke hedhur poshtë faktin se mbështetja ndaj këtyre shtresave vinte për klientelizëm elektoral. Oketa theksoi në fjalën e tij se shtresat në nevojë do të ishin gjithashtu shumë të vlerësuara në këtë forcë të re politike. “FRD merr përsipër të mishërojë në program një shtet me barazi të shanseve për të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mbështetje të shtresave në nevojë, posaçërisht të moshuarit, fëmijët, familjet me të ardhura të pamjaftueshme, personat me aftësi të kufizuara”, theksoi Oketa. Drejtuesi i komitetit të grupit themeltar u ndal gjatë në nevojën e mbështetjes së rinisë në vend dhe faktin se ajo do të ishte e pranishme në mënyrë masive në forumet e FRD-së. “Fryma e Re Demokratike do të ketë prioritet rininë, e cila përbën jo vetëm pjesën më vitale të shoqërisë, por edhe atë numerikisht më të madhe. Rinia është pasuria më e madhe e Shqipërisë së sotme. Fryma e Re Demokratike, si parti e re dhe e rinisë, do t’i japë Shqipërisë qarkullimin e elitave politike”, theksoi Oketa. Deputeti theksoi se në këtë 100-vjetor të krijimit të shtetit shqiptar, FRD do të mbështesë fuqishëm aspiratat më të larta të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi e në Serbi për të ndërtuar në trojet e tyre një jetë të lirë, demokratike, paqësore, dinjitoze dhe të begatë. Oketa nuk harroi të theksonte se FRD do të ishte një parti me frymëzim atlantik. “Objektivi i saj strategjik prioritar në politikën e jashtme do të jetë integrimi europian dhe thellimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me SHBA”, deklaroi ai.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.